Maqedoni

Kovaçevski demanton Alitin: S’kam biseduar me Ahmetin për Ligjin e UÇK-së!

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, ka përgënjeshtruar deklaratën e ish- komandatit të UÇK-së, Rafiz Aliti, i cili dje tha se kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, muaj më parë, ka biseduar me Kovaçevskin për një ligj të ri për të prekurit nga konflikti i vitit 2001, përfshirë këtu edhe pjesëtarët e UÇK-së dhe familjet e dëshmorëve, për të cilët premtohet zgjidhje ligjore që nga përfundimi i konfliktit.

“Nuk është e vërtetë”, ka thënë shkurt Kovaçevski i pyetur nga gazetarët nëse me Ahmetin ka biseduar për një ligj të tillë, siç deklaroi mbrëmë Aliti, në një intervistë për Alsat.

Duke folur për moszgjidhjen e statusit të UÇK-së prej dy dekadash, Aliti dje tha se BDI-ja nuk ka hequr dorë asnjëherë nga ish ushtarët shqiptarë dhe në këtë kuadër shpalosi përpjekjen e fundit që, sipas tij, e ka bërë Ahmeti muaj më parë.

Por, pavarëisht se deklaroi që kreu i “integristëve” ka biseduar me kryeministrin Dimitar Kovaçevski për një zgjidhje ligjore që do të përfshinte të gjithë të prekurit nga konflikti i vitit 2001, ai nuk tregoi cili ka qenë epilogu i këtyre bisedimeve mes dy partnerëve të koalicionit qeveritar dhe nëse Kovaçevski ka treguar gatishmëri për idenë e Ahmetit.