Kosova ndalon importin e miellit nga Maqedonia e Veriut
Kosova ndalon importin e miellit nga Maqedonia e Veriut
May 18, 2021
Facebook Twitter
Mullisët në Maqedoninë e Veriut ankohen se autoritetet kosovare kanë ndaluar eksportin e miellit nga Maqedonia në Kosovë. Sipas tyre, kthimi mbrapsht i kamionëve për më tepër se 25 ditë, është arsyetuar më atë se mielli nuk i plotëson standardet e kërkuara dhe nivelin e duhur të hekurit dhe acidit folik. Deri tani janë kthyer 11 kamionë me 300 ton miell. Kryetari i Grupacionit të mullisëve dhe industrisë së bukës pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë, Goran Malishiq, thotë se për këtë problem – menjëherë kanë qenë të njoftuar Ministria e Ekonomisë dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Sipas tij,analizat në laboratorët vendor të realizuara para eksportit të miellit tregojnë se mielli përmban edhe më shumë hekur dhe acid folik se sa përcaktohet me sasitë e përcaktuara minimale.
Nga Ministria e Ekonomisë kanë bërë të ditur se të martën do takohen me mullisët për zgjidhjen e kësaj çështje. “Ministria e Ekonomisë është në komunikim me autoritetet e Kosovës për problemin e shkaktuar me miellin e dedikuar për eksport në tregun kosovar. Gjatë ditës së martës së bashku me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë do të realizojmë takimin me përfaqësuesit e mullisëve me qëllim të gjetjes së zgjidhjes së kësaj çështje. Në varësi prej informacioneve nga pala kosovare dhe nga industria e miellit dhe bukës do të ndërmerren edhe masa adekuate”, thonë nga Ministria e Ekonomisë. Mirëpo, institucionet e Kosovës e mohojnë një ndalesë të tillë për eksportin e miellit nga Maqedonia në Kosovë. Lamir Thaçi, nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinë e Kosovës, ka thënë për “Zërin” se nuk ka asnjë ndalesë për asnjë vend, e as për Maqedoninë e Veriut, për sa i përket importit të miellit. “Ndalesa të importit të miellit nuk ka për asnjë vend. Disa ngarkesa janë refuzuar, sepse nuk i kanë plotësuar kriteret ligjore të aplikueshme në Kosovë. Mielli duhet të jetë fortifikuar, i pasuruar me acid folik dhe hekur. D.m.th. bëhet fjalë vetëm për ngarkesa që nuk i plotësojnë rregullat për tregtim në Kosovë”, deklaroi Thaçi. Ai theksoi se ngarkesat që i përmbushin kriteret ligjore janë duke u importuar pa pengesa.
Në ndërkohë, të dhënat e Odës ekonomike tregojnë se eksporti i miellit nga Maqedonia në Kosovë në vitin e kaluar ka qenë i vlefshëm afër 4.400 tonë, ndërsa në vitin 2019 ky eksport ka pasur vlerë prej 8.400 tonë miell. Mullisët vendorë ankohen edhe për më shumë barriera të tjera joformale që kanë vendosur shtetet e CEFTA. Sipas tyre, Shqipëria ka vendosur sasi shumë të lartë të proteinave, ndërsa Serbia ka vendosur subvencione të ndryshme me çka çmimi i miellit është i njëjtë me çmimin e grurit. Njëherësh mullisët ankohen se nga 70 mulli në vend punojnë vetëm 9. Edhe ato nëse në vitin 2019 kanë punuar me një të tretën deri gjysmën e kapaciteteve, në vitin 2020 kanë punuar me 20 për qind e kapaciteteve si rrjedhojë e konkurrencës jolojale nga shtetet fqinje si dhe uljes së konsumit të miellit në vend. Për shkak të pandemisë në vitin e kaluar mbi 200 mijë nxënës dhe studentë nuk kanë vijuar procesin edukativ-arsimor , ndërsa së bashku me stafin tjetër të angazhuar në arsim kjo shifër rritet edhe më shumë , me çka është përgjysmuar edhe konsumi i miellit, si dhe puna e byrektoreve, picerive, parodive të bardha dhe të ngjashme.
Ndryshe, në vitet e kaluara të gjitha shtetet e rajonit kishin mosmarrëveshje të ndryshme lidhur me eksportin dhe importin e mallrave të ndryshme. Para katër vitesh, Shqipëria kishte “bllokuar”, patatet dhe qepët nga Kosova. Doganat e Shqipërisë kishin vendosur një rregull të ri, ku për patatet dhe qepët e Kosovës ishte rritur referenca tregtare nga 0.14 në 0.18 Euro, që nënkuptonte një pamundësi konkurruese në tregun e Shqipërisë. Para tre vitesh Kosova udhëzoi ndalesën e patateve dhe mjaltit nga Maqedonia, si kundërpërgjigje ndaj ndalesës së importit të peshqve për shumim nga Kosova. Probleme të ndryshme janë shfaqur edhe midis Maqedonisë dhe Serbisë për miellin, domatet etj. Me kalimin e kohës, probleme të tilla janë evituar dhe ka vazhduar tregtia e ndërsjellë midis shteteve të rajonit.