Lajmet e reja

Kontrolluan nën tokë dhe mbi çati, përveç Policisë u përfshi edhe Ushtria – Këto janë detajet e fundit nga aksioni në pronat e Xhelal Bellanocës

Forca speciale të policisë, pjesëtarë të ushtrisë, detektorë dhe qenë u shpërndanë në më shumë prona të Xhelal Ajetit, i njohur si Xhelal Bellanoca në Hasanbeg të Shkupit, shkruan Alsat.

Nuk munguan as ekskavatorët, që për orë të tëra gërmuan në pronat e Bellanocës.

Kërkimet përveç nën tokë, zhvilloheshin edhe mbi çatinë e njërit nga objektet në pronësi të Bellanocës

Nga objekte të pabanueshme, e deri te shtëpia ku jeton familja Ajeti. Të gjitha këto ishin shënjestër e kërkimit të policisë për orë të tëra. Policia bllokoi rrugët dhe për orë të tëra kreu kërkime në këtë shtëpinë e familjes së Xhelal Bellanocës.

Jozyrtarisht, Alsat mëson, se brenda shtëpisë së banuar ndodheshin gruaja, vajza, nusja dhe nipërit e Xhelal Bellanocës. Kërkimet u kryen prapa dyerve të mbyllura, ndërsa policia ka ndaluar familjarë të tjerë që deshën të vizitojnë anëtarët e familjes që gjendeshin brenda shtëpisë.

Prezenca e forcave të shtuara policore vërehej në më shumë lokacione në këtë rajon.

Grupi Bellanoca lidhet me tregtinë e narkotikëve, ndërsa kreu i bandës është i dënuar me vendim të Gjykatës së Apelit me gjithsej 11 vjet burg për trafikim të drogës. Grupi i Bellanocës njihet edhe për rivalitetin me grupin e Gërçecit dhe të Duqanxhikut.

Rivaliteti ka filluar në vitin 2010 ku kishte incidente të shumta, vrasje dhe gjuajtje bombash mes klaneve të ndara. Përleshjet janë ashpërsuar kur në nëntor të 2013-tës u vra, 46-vjeçari, Xhelal Ajeti, në çajtoren e tij “Te Xhela” në Hasanbeg. Vrasësi, i maskuar dhe me armë, pati hyrë në çajtoren e tij, duke e vrarë me 30 plumba Ajetin. Xhelal Ajeti, i njohur si Xhelal Bellanoca, asokohe ishte fajdexhi i njohur dhe figurë me ndikim në nëntokën e drogës.