BallinaMaqedoni

Konferenca vjetore për decentralizimin dhe qeverisjen lokale: Komunat janë partnerë të qytetarëve, po hapim rrugën drejt Bashkimit Evropian

“Ne po bëjmë përpjekje të konsiderueshme për të forcuar rolin e autoriteteve vendore. Përmes decentralizimit financiar, investimeve në infrastrukturë dhe dixhitalizimit të shërbimeve, ne kemi treguar në një periudhë të shkurtër se zhvillimi i vetëqeverisjes lokale është prioriteti ynë. Por mbetet shumë punë. Para nesh është sfida për të siguruar transparencë të plotë, llogaridhënie dhe akses të barabartë në të gjitha burimet. Vetëm me përpjekje të përbashkëta dhe partneritet mes pushtetit qendror dhe lokal mund të ndërtojmë komuna që do të jenë shembull i një modeli të mirë të menaxhimit”, theksoi kryeministri Hristijan Mickoski, në konferencën e sotme për decentralizim dhe menaxhim lokal me temën “Drejt vetëqeverisjes lokale të qëndrueshme: Sfidat mundësitë dhe strategjia për të ardhmen”, organizuar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim – UNDP, me mbështetjen e Qeverisë së Zvicrës.

Në Konferencën, e cila u mbajt për herë të gjashtë, u diskutua për reformën e vetëqeverisjes lokale me qëllim të autoriteteve vendore më efikase, më të përgjegjshme dhe llogaridhënëse, transformimi dixhital në nivel lokal dhe planifikimi strategjik i integruar në nivel kombëtar dhe lokal si dhe çështje të tjera relevante.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zllatko Perinski, theksoi se të gjitha masat e ndërmarra nga Ministria janë rezultat i nevojave prioritare të identifikuara të qytetarëve dhe komunave dhe kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Sipas tij, ky është thelbi, që qytetarët të jenë të kënaqur, sepse ata janë përfitues nga politikat e zbatuara në nivel lokal.

“Krijimi i një vetëqeverisjeje më funksionale lokale, përmirësimi i cilësisë së shërbimeve publike dhe ndërtimi i partneritetit dhe besimit me qytetarët janë prioritetet kryesore të kësaj Qeverie, prandaj ne jemi plotësisht të përkushtuar për të mbështetur zhvillimin e vetëqeverisjes lokale. Që në fillim, ne kemi identifikuar sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen komunat. Hapin e parë e bëmë duke financuar 274 projekte kapitale infrastrukturore dhe do të vazhdojmë mbështetjen direkte edhe këtë vit, e cila do të mundësojë zhvillimin infrastrukturor dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve”, tha Perinski, i cili informoi se procesi për avancimin e Ligjit për vetëqeverisjen lokale ka filluar, për t’iu kthyer qytetarëve mundësinë për të larguar një kryetar komune, për të siguruar një mekanizëm për forcimin e rendit dhe mbikëqyrjes komunale, si dhe përfshirjen më të madhe të qytetarëve në vendimmarrje, gjë që është esenca e vetëqeverisjes lokale. “Në periudhën në vijim po e vendosim theksin në Qendrën Burimore për mbështetjen e komunave dhe digjitalizimin e tyre”, shtoi ministri Perinski, i cili theksoi mbështetjen e parezervë të pushtetit qendror në drejtim të një sistemi më funksional të vetëqeverisjes lokale.

Përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Armen Grigorjan, duke folur për faktin se UNDP-ja ndër vite bashkëpunon me të gjitha komunat, tha se sot ata janë të fokusuar në çështje kritike që do të formësojnë të ardhmen e decentralizimit të suksesshëm.

“Një nga shtyllat qendrore të këtij procesi është reforma e vetëqeverisjes lokale, të cilën UNDP e mbështet duke përshtatur ligjin për të përmirësuar transparencën, llogaridhënien dhe efikasitetin e përgjithshëm të qeverisjes. Dixhitalizimi ishte prioritet për ne dhe platforma e shërbimeve elektronike LOGES, e cila tashmë po zbatohet në 23 komuna, do të shtrihet në të gjitha komunat deri në vitin 2026 dhe do të integrohet me portalin kombëtar. Po aq i rëndësishëm është edhe planifikimi strategjik afatgjatë, si bazë e vetëqeverisjes lokale. Me miratimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit, ne kemi vendosur një udhërrëfyes për 20 vitet e ardhshme, ku një vend të rëndësishëm zë qeverisja e menaxhuar nga qytetarët. Në nivel afatmesëm, UNDP-ja bashkëpunon me komunat për planifikimin e integruar të zhvillimit, ndërsa mjetet si Indeksi i Zhvillimit Komunal dhe Fondi i Dokumentacionit Teknik i mbështesin më tej komunat në përmirësimin e planifikimit dhe efektivitetit të tyre operacional”, tha Grigorian.

Edhe Qeveria e Zvicrës e ka mbështetur decentralizimin në Maqedoninë e Veriut që në fillimet e saj.

“Gjatë viteve, përmes programeve të ndryshme dhe qasjes me shumë palë, ne kemi ndihmuar në përmirësimin e shërbimeve komunale, nga shërbimet e ujit dhe kanalizimit, mjedisi, rreziku nga fatkeqësitë dhe menaxhimi i mbeturinave te arsimi, kultura dhe shërbimet sociale”, deklaroi ambasadorja e Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, Veronik Ulman, e cilia iu referua rëndësisë së komunave në trajtimin e agjendës së gjelbër, veçanërisht rolin e tyre në mbrojtjen e mjedisit. “Është e rëndësishme që komunat të menaxhojnë mbetjet dhe burimet natyrore dhe të mbështesin tranzicionin e gjelbër sepse është një element kyç i planifikimit strategjik në nivel lokal dhe kombëtar,” shtoi Ulmann.

Sipas ambasadores së Suedisë në Maqedoninë e Veriut, Ami Larson Jane, decentralizimi është kyç për aspiratat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE, pasi forcon demokracinë dhe komunitetet lokale, përmirëson qeverisjen dhe siguron përdorimin efikas të taksave.

“Duke mundësuar qytetarët të marrin pjesë në vendimmarrje, mundësohet zhvillimi rajonal, zvogëlohen diferencat dhe barazohen standardet e vendit me ato të BE-së për sa i përket gjithëpërfshirjes. Decentralizimi nuk është vetëm një parakusht, por edhe një mundësi për rritje dhe pajtueshmëri në rrugën drejt BE-së. Është gjithashtu një proces i domosdoshëm për ndërtimin e një pushteti vendor më të përgjegjshëm që ofron shërbime për çdo qytetar të vendit”, tha ambasadorja suedeze.

Në konferencën ku mori pjesë edhe kryetari i BNJVL-së, Orce Gjorgjievski, u ndanë edhe informata për gjendjen aktuale në nivel lokal, si anketa për vlerësimin e qytetarëve për shërbimet lokale për vitin 2024, raporti vjetor për financimin i komunave për vitin 2023 dhe Analiza e zbatimit të kompetencave komunale (2023-2024).