September 19, 2024
Maqedoni

Komuna e Çairit dhe Ambasada e Italisë organizuan spektakël me mysafirë nga Pulja

Mbrëmë u mbajt koncerti tradicional i folklorit jugor italian “NATA E VALLES TARANTA RITMI DHE PASIONI I RAJONIT PULJA” në Teatrin Kombëtar Shqiptar në Shkup. Një spektakël tepër i veçant i kultrurës italiane, që u organizua nga Komuna e Çairit, Ambasada e Italisë dhe Instituti Italian i Kulturës.
“Së bashku me Ambasadorin e Italisë në Maqedoninë e Veriut, ekselenca e tij Andrea Silvestri dhe të pranishmit në këtë koncert, ndoqëm performaca të jashtëzakonshme të trashëgimisë folklorike më të gjallë dhe më me ndikim të Italisë së Jugut, Pizzica dhe Taranta të njohura ndërkombëtarisht, për të cilat besoj se italianët janë shumë krenarë”, deklaroi pas koncertit kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
Ai shtoi se koncerte të tilla janë gjithmonë të mirëpritura dhe për t’u përshëndetur për faktin se gjallërojnë rajonet tona, sjellin kultura të ndryshme më afër njëra tjetrës përmes këngëve e valleve.

“Por mbi të gjitha koncertet e këtilla janë edhe një përkujtim për brezat e rinj rreth traditave shumëvjeçare të cilat shoqëritë artistike, ansamblet dhe pjesëtarët e tyre, qoftë udhëheqësitë apo anëtarësia i ruajnë dhe i përcjellin brez pas brezi, duke u munduar që të mos humbin asnjë element të traditës.
Siç e dijmë, Italia është një vend me një traditë dhe trashëgimi kulturore shumë të pasur dhe të larmishme, gjegjësishtë të muzikës folklorike dhe vallëzime, andaj u kënaqëm të gjithë së bashku në këtë koncert”, theksoi Ganiu i cili koncertin e përcolli në shoqëri të ambasadorit italian në Shkup, Andrea Silvestri.