Kompanitë në Zonat Industriale vitin e kaluar me eksport rekord prej tre miliardë euro
Për herë të parë është arritur niveli më i lartë i eksportit prej tre miliardë euro në ZZHTI, njoftoi drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale, Jovan Despotovski.
“Analizat e para tregojnë se e arritëm kufirin prej tre miliardë euro eksport. Kjo është për 15 për qind më shumë në krahasim me vitin 2020, dhe për 6,5 për qind më shumë se në vitin 2019 që deri më tani ishte vit rekord për eksport. Kjo tregon se ekonomia në kuadër të zonave, por edhe në shtet është në drejtim të mirë. Pres që trendi i rritjes të vazhdojë duke pasur parasysh atë që një pjesë e kompanive me të cilat nënshkruam marrëveshje këtë vit tashmë do të fillojnë me prodhimtari dhe punë, kështu që pres edhe niveli i tanishëm rekord tashmë në vitin 2022 të tejkalohet. Me konceptin e ri dhe qasjen e mençur të cilën e zbatojmë një vit, arritëm të nxisim rritje konstante të kompanive aktive në zonat dhe rezultate konkrete”, njoftoi Despotovski.
Sipas tij, kjo nënkupton edhe numër të qëndrueshëm të vendeve të punës dhe rritje e vazhdueshme e pagave dhe pagesave në arkën shtetërore.
“Dëshmuam se dimë ta shfrytëzojmë potencialin e investitorëve të huaj. ZZHTI mbetet bartëse e ekonomisë në vend”, deklaroi Despotovski.
Deri më tani eksport më i lartë i regjistruar në ZZHTI në vitin 2019 ishte 2,796 miliardë euro.
ZZHTI përgatiti edhe analizë të efekteve nga investimet e huaja në zonat zhvillimore teknologjike industriale gjatë 10 viteve të kaluara që tregon se të gjitha kompanitë të cilat janë aktive në zona kanë realizuar rritje të vazhdueshme gjatë dekadës së kaluar dhe vazhdimisht rriten edhe sa i përket numrit të vendeve të punës, pagat dhe pagesat në Buxhetin e shtetit. Të ardhurat e përgjithshme të kompanive në ZZHTI në periudhën e analizuar 2010-2020, arrijnë 875 miliardë denarë dhe shënojnë rritje mesatare vjetore prej 16 për qind, ndërsa Buxheti i shtetit në këtë periudhë ka realizuar afër 11 miliardë denarë të ardhura në baza të ndryshme nga kompanitë në ZZHTI.