Maqedoni

Komisioni për Mbrojtje nga Diskriminimi: Qytetarët që mbushin 18 vjet të mund të votojnë

Qytetarët që do të mbushin 18 vjet ndërmjet dy raundeve zgjedhore të zgjedhjeve presidenciale duhet të kenë mundësi të votojnë, kërkon Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ky institucion ka ripërsëritur se që më 9 gusht 2021 kanë konstatuar diskriminim të drejtpërdrejtë nga ana e KShZ-së dhe diskriminim indirekt që rrjedh nga dispozitat e Kodit Zgjedhor, bazuar në faktin se shumë qytetarëve të cilët mes dy raundeve të Zgjedhjeve Presidenciale i kanë mbushur 18 vjet, por nuk kishin të drejtë të votojnë në raundin e dytë dhe ky diskriminim është hetuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2019.

“Këta persona për shkak të dispozitave të Kodit Zgjedhor, nuk kanë mundur të ushtrojnë të drejtën e garantuar me Kushtetutë dhe të votojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Në të njëjtën kohë, më 13 shtator 2021, komisioni konstatoi diskriminim tërthorazi në bazë të moshës, gjendjes personale, gjendjes shëndetësore, në fushën e ushtrimit të së drejtës së votës të qytetarëve që vendosen në objektet shëndetësore gjatë zgjedhjeve.”, – theksoi Igor Jadrovski nga KPMD.

Në pyetjen se sa persona janë diskriminuar nga votimi deri më tani, komisioni theksoi se nuk mund të saktësojë numrin e saktë, por bëhet fjalë për rreth 7,000 persona sipas ankesave që i janë dorëzuar komisionit. Jadranovski po ashtu theksoi se masat e komisionit duhet të sigurojnë që procedurat e votimit, ambientet e votimit dhe materialet të jenë të përshtatshme dhe të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara, në mënyrë që ata të ushtrojnë të drejtën e votës të garantuar me Kushtetutë. Nga komisioni në fjalë, po ashtu kanë theksuar se gjatë fushatës parazgjedhore, komisioni do të kryejë monitorim të intensifikuar të gjuhës së urrejtjes në media dhe në rrjetet sociale, ndërsa qytetarët të denoncojnë fjalën shqetësuese në komision.