Rajon - Botë

Kolona e dytë e ndihmave humanitare hyn në Gaza nga pika kufitare Rafah

Kolona e dytë e kamionëve me ndihma ka filluar të hyjë në Rripin e Gazës nga ana egjiptiane e kalimit kufitar Rafah, njoftuan mediat egjiptiane, transmeton Anadolu.

Sipas “Cairo News Channel”, kalimi tokësor Rafah u hap për të dytën ditë radhazi për hyrjen e ndihmave të reja humanitare në Rripin e Gazës.

Të shtunën, një kolonë ndihmash me 20 kamionë hyri në Rripin e Gazës nga vendkalimi kufitar Rafah, e para që nga shpërthimi i konfliktit të armatosur midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas më 7 tetor.

Konflikti në Gaza, nën bombardimet dhe bllokadën izraelite që nga 7 tetori, filloi kur Hamasi nisi operacionin “Tufani i Aksasë” – një sulm i befasishëm i shumanshëm me lëshime raketash dhe infiltrimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri.

Hamasi tha se inkursioni ishte në hakmarrje për sulmet ndaj Xhamisë Al-Aksa dhe dhunës në rritje nga kolonët izraelitë.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” në Rripin e Gazës, duke i vënë 2,3 milionë banorët e territorit nën një rrethim total dhe një bllokadë nga ushqimi, karburanti dhe furnizimet mjekësore.

Të paktën 4.651 palestinezë, duke përfshirë 1.873 fëmijë, janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, ndërsa shifra qëndron në më shumë se 1.400 njerëz në Izrael.