BallinaMaqedoni

Koalicioni “Fronti Evropian” dhe VLEN-i, përplasje rreth rivotimit në disa vendvotime

Vendimi i KShZ-së për përsëritje të votimit në disa vendvotime në njësinë e pestë dhe gjashtë zgjedhore ka përplasur përfaqësuesit e “Frontit Evropian” dhe koalicionit VLEN në emisionin ZOOM.

“Fronti Evropian” e kundërshton vendimin e KShZ-së, duke vlerësuar se po ndihmohet edhe nga VLEN-i, me qëllim që të mos lejohet që një koalicion i udhëhequr nga një parti shqiptare të jetë forca e dytë politike.

“Ashiqare duket se nuk doni apo më saktë ata nuk duan, por ju detyrojnë juve të veproni njësoj si ata, që “Fronti Evropian”  të jetë forca e dytë politike në vend, për arsye se aty ka të drejta dhe detyrime, të cilat i takojnë forcës së dytë politike në vend, duke filluar nga kryetari i KShZ-së e kështu me radhë, e si duket edhe kjo u pengon partive politike maqedonase dhe i shqetëson, por neve nuk na habisin veprimet e atyre, neve na çudit qasja juaj.”, – deklaroi Valdet Xhaferi nga “Fronti Evropian”.

Nga VLEN-i, nga ana tjetër konsiderojnë se parregullsitë e konstatuara në ato vendvotime janë evidente.

“Ka pasur një votë tepër në kutinë e votimit në llogari të “Frontit Evropian” dhe mungesë të tre fletëvotimeve që është shkelje e rëndë e procesit të votimit. Është shkelje e rëndë e votës së lirë dhe e cila duhet të dëshmohet në procedurë tjetër gjyqësore. Gjithashtu në dy vendvotime tjera, një në Gostivar, një në Tetovë, vota të pavlefshme janë llogaritur si vota të “Frontit Evropian”, – theksoi Fatmir Sabriu nga VLEN-i.

Koalicioni VLEN njëherit garanton se ndryshimet kushtetuese do të ndodhin në një afat më të shpejtë se sa mendohet.

“Është kusht i parë procesi eurointegrues dhe është një ndër kushtet themelore të koalicionit VLEN. Fidbeku më i madh nga VMRO-DPMNE-ja është se ndryshimet kushtetuese do të ndodhin për shumë më shpejtë kohë se sa u është dashur këtyre të “Frontit Evropian” t’i bëjnë ndryshimet kushtetuese, edhe nuk i kanë bërë.”, – u shpreh Fatmir Sabriu nga VLEN-i.

Por, Valdet Xhaferi i “Frontit Evropian” vlerëson se qëndrimi i VMRO-DPMNE-së ndaj ndryshimeve kushtetuese mbetet i njëjtë.

“Kemi dalë publikisht e kemi sfiduar VMRO-DPMNE-në, eja t’i bëjmë ndryshimet kushtetuese, dilni ju votoni ndryshimet kushtetuese, ne do të heqim dorë në radhë të parë nga premtimi kryesor – kryeministri i parë shqiptar dhe kemi dhënë dorëheqje kolektive si BDI nga Qeveria, vetëm e vetëm që të ruajmë kursin eurointegrues të vendit dhe e njëjta nuk u pranua asokohe nga VMRO-DPMNE-ja dhe e njëjta vazhdon, i njëjti qëndrim është edhe pas 8 majit.”, – deklaroi Valdet Xhaferi nga “Fronti Evropian”.

Përfaqësuesit e “Frontit Evropian” dhe VLEN-i kishin mendime të ndara edhe për sa i përket rezultatit të zgjedhjeve. Xhaferi thotë se qartazi rezultati tregon se populli shqiptar legjitimitetin ia ka dhënë “Frontit Evropian”, pasi ka siguruar 19 mandate kundrejt 13.

Nga ana tjetër, Sabriu vlerëson se mandatet e fituara nga Fronti janë falë votave të komuniteteve tjera, kurse sipas tij, VLEN-i ka numrin më të madh të votave të shqiptarëve në vend./TVM2