Koalicioni AAA-ASH ua dorëzon nesër ligjin për shtetësi deputetëve të LSDM-së
Nesër pritet që propozim ligji për shtetësi, i përpiluar nga partitë shqiptare në opozitë, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, t’i dorëzohet grupit parlamentar të LSDM-së dhe ata më pas, partnerëve të tjerë të koalicionit të drejtuar LSDM-ja. Deputeti Elmi Aziri, tha se pjesa e punës së tyre si grup parlamentar ka përfunduar dhe tani pritet të procesohet në Kuvend, ndërsa e la të hapur edhe mundësinë për një takim tjetër të liderëve partiak, varësisht nga dinamika e zhvillimit të proceseve mes grupeve parlamentare.
Elmi Aziri
“Kryeministri Zaev e përfaqëson qeverinë edhe shumicën por edhe grupet parlamentare e përfaqësojnë shumicën, ne më rëndësi është që ta dërgojmë pjesën tonë të punës që e kemi kryer te pala me të cilën i kemi zhvilluar bisedimet, tash a është Zoran Zaevi a është kryetari i grupit parlamentar, mendoj që nuk është pesha në këtë moment. Pra ne ditën e hënë do ta dorëzojmë variantin draftin të cilin e kemi përpilu ne dhe sigurisht për kohë sa më të shkurtër të mundshme presim përgjigje dhe të procedojmë më tutje”
Përpilimi i tekstit të propozim ligjit për shtetësi erdhi si rezultat i bisedimeve të drejtpërdrejta mes koordinatorëve të grupeve parlamentare dhe liderëve të tre partive, Zoran Zaev, Ziadin Sela dhe Afrim Gashi. Pas takimit të fundit, kryetarët e LSDM-së, Aleancës dhe Alternativës, njoftuan se është arritur përparim dhe shumë pika janë tejkaluar, ndërsa dhanë kohë që opozita të përpilojë edhe formalisht tekstin. Pasi propozimi të dorëzohet nesër, grupi parlamentar dhe ekspertët e LSDM-së do ta shqyrtojnë dhe do të përgjigjen nëse kanë vërrejtje eventuale. Më pas ligji do të konsultohet edhe me partitë e tjera dhe do të miratohet pasi të merr pëlqimin e partive më të mëdha në Kuvend. Me këtë ligj, përfundimisht zgjidhet problemi 30 vjeçar i mbi 2.500 qytetarëve, shumica shqiptarë, që jetojnë në Maqedoninë e Veriut por nuk kanë nënshtetësi dhe nuk gëzojnë të drejtat qytetare në vend.