Maqedoni

Klubet bullgare në Maqedoni kanë tre muaj kohë për të ndryshuar emrat

Kuvendi miratoi ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për shoqatat dhe fondacionet dhe Ligjin për partitë politike, të cilat dënojnë promovimin e fashizmit dhe nazizmit. Të dy ligjet janë miratuar me procedurë të shkurtuar.

Amendamentet e propozuara ligjore i të dy partive rezultuan me sukses, pas hapjes së klubeve bullgare në vend me emrat “Vanço Mihajllov” më 16 prill në Manastir dhe “Car Boris Treti” më 7 tetor në Ohër.

Më 17 tetor, deputetët i dhanë mbështetjen e tyre, në procedurë të shkurtuar, miratimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shoqata dhe fondacione, të paraqitur nga partia opozitare OBRM-PDUKM.

Sipas ndryshimeve të miratuara në Ligjin për shoqatat dhe fondacionet, tani është e ndaluar të themelohet një organizatë nëse programi dhe objektivat kanë për qëllim mbështetjen, inkurajimin dhe miratimin e fashizmit, nazizmit, nacionalsocializmit dhe “Rajhut të Tretë”.

Të gjitha shoqatat kanë afat prej tre muajsh për të përshtatur emrat e tyre me dispozitat e reja, ndërsa ato që nuk e bëjnë një gjë të tillë do të fshihen nga Regjistri Qendror me vendim të Ministrit të Drejtësisë, që është e obliguar të marrë vendim për ndalim brenda katër muajve pas hyrjes në fuqi të ligjit.