Maqedoni

Klekovski për keqpërdorimet në shëndetësi: Një drejtor ka shfrytëzuar 500 mijë denarë për udhëtime, ndërsa një tjetër ka rritur rrogën për 400 mijë denarë

Shpërdorime me paga dhe shtesa në objektet shëndetësore janë konstatuar vite më parë, por askush nuk ka reaguar. Dhe tani me kontrollet e jashtëzakonshme i kemi përcaktuar situata të tilla. Kështu tha dje në TV Sitel, drejtori i Fondit për sigurim shëndetësor, Sasho Klekovski, i cili tha se muajt e parë pasi është në krye të këtij institucioni i kalon në takime me menaxhmentin e institucioneve shëndetësore, por edhe me të gjithë palët e interesuara në sektorin e shëndetësisë, si dhe se është krijuar një situatë e borxheve të mëdha dhe keqpërdorimeve, transmeton Portalb.mk.

“Një drejtor ka shfrytëzuar shpenzime të udhëtimit prej gati 500 mijë denarë për 10 muaj, për të cilat nuk ka asnjë dokument. Një drejtor tjetër për një vit e ka rritur pagën për 400 mijë denarë, për çka nuk ka bazë ligjore. Në Qendrën për shëndet publik pagat janë paguar në bazë të marrëveshjes kolektive që nuk ekziston, kështu që u janë dhënë paga fiktive”, thotë Klekovski.

Sipas tij, për momentin janë duke u fokusuar në kontrollimin e institucioneve publike shëndetësore me borxhet më të mëdha, në mënyrë që, siç thotë ai, të përcaktohen arsyet se si dhe pse kanë lindur ato borxhe.

“Është e vështirë të përcaktohet dëmi total nga këto keqpërdorime, sepse ne bëjmë vlerësime në segmente të ndryshme. Në një spital jashtë Shkupit, në muajin e parë pas ndërrimit të drejtorit, vetëm në bazë të punës jashtë orarit kemi ulur shpenzimet për 30 mijë euro për një muaj”, tha ai.

Ai theksoi se borxhet në klinikat e Qendrës Klinike në Shkup nuk janë gjithandej për shkak të keqpërdorimeve.

“Për shembull Onkologjia nuk ka planifikuar terapi adekuate, sepse nuk ka pasur plan për barna inovative me buxhet dhe kanë qenë në borxhe. Ka shembuj të ndryshëm në vende të ndryshme”, thotë drejtori.

Plani është, siç tha ai, zvogëlimi i borxhit pesë miliardë të institucioneve publike shëndetësore, në mënyrë që ato të fokusohen në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në periudhën e ardhshme.

I pyetur nëse do të ketë para për terapi onkologjike, Klekovski është decid dhe thotë se duhet të ketë terapi për të gjithë.

“I gjithë programi i barnave novatore të Onkologjisë duhet ta ketë dhe do ta ketë. Një nga ndërhyrjet më të mëdha do të jetë në Onkologji. Dhe jo vetëm në Onkologji”, tha ai.

Për trajtimin jashtë vendit, ai tha se Fondi mbulon rreth 250 deri në 300 raste në vit që trajtohen jashtë vendit, përfshirë këtu edhe spitalet private në vendin tonë. Vendi më i zakonshëm ku shkojnë për kurim është Turqia.

“Për këtë kemi ndarë rreth 5.5 milionë euro në vit. Zakonisht qytetarët kërkojnë të shkojnë jashtë vendit për kurim sepse kanë humbur besimin në sistemin tonë shëndetësor. Dhe ky besim duhet të kthehet. Shumë shpesh ndodh që disa nga ato trajtime të jenë pa prova mjekësore. Më shpesh bëhet fjalë për trajtime me qeliza staminale, për të cilat ende nuk ka prova të mjaftueshme shkencore që ndihmojnë, Komisionet konsulor nuk mund të rekomandojnë trajtim nëse nuk ka dëshmi mjekësore që ajo terapi ndihmon. Apeloj që pacientët t’i drejtohen Fondit, t’u drejtohen atyre që të kalojnë procedurën dhe nëse i plotësojnë kushtet ligjore, t’u aprovohet trajtimi”, thotë Klekovski.

Kujtojmë se raporti përfundimtar i revizionit për funksionimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSh), zbuloi se FSSH duhet t’i paguajë 430 mijë euro një spitali nga Gjermania në bazë të 12 kërkesave për pagesën e trajtimit.

Paditë janë ngritur në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2022 dhe për disa prej tyre janë marrë vendime nga një gjykatë gjermane, me të cilën Fondi është përgjegjës për pagesën e shpenzimeve të trajtimit.