Kosovë

Kjo është vajza që serbët nuk e vranë në djep, pasi e zhveshën dhe e kuptuan se nuk ishte djalë

Profesori universitar dhe shkrimtari Milazim Krasniqi ka treguar se sot ka pasur një nga takimet më emocionuese në jetën e tij.

Ai thotë se ka takuar vajzën me emrin Tringa Kastratin, të cilën e kishte paraqitur në poezinë e tij “Fati i një vajze”.

Tringa ishte vajza e cila gjatë kohës së luftës ishte 7-muajshe, dhe të cilën kriminelët serbë, pasi e kishin zhveshur në djep dhe e kishin parë që është vajzë, nuk e kishin vrarë.

“Sot sapo hymë me Ediben në barnatoren “Kastrati”, ajo m’u afrua dhe më tha se ishte ajo vajza të cilën e kam paraqitur në poezinë time “Fati i një vajze.”Gjithë trupin ma përshkuan mornica! Në këtë poezi kam paraqitur fatin e një vajze shtatëmuajshe të familjes Kastrati, nga Fusha e Pejës, të cilën kriminelët serbë, pasi e kishin zhveshur në djep dhe e kishin parë që është femër, nuk e kishin vrarë, ndërsa meshkujt e familjes së saj, Sokolin, Xhaferin,Valdetin, Adrianin dhe Albanin bashkë me nikoqirin e tyre, Hasan Muratagiqin, i kishin ekzekutuar”, ka shkruar Krasniqi.

Tutje ai ka publikuar edhe poezinë “Fati i një vajze” e cila i kushtohet Tringa Kastratit.