Maqedoni

Kjo është shuma e peleti sivjet

Stabilizohet tregu i peletave. Këtë vit ka balancë mes ofertës dhe kërkesës dhe çmimi i peletave është ulur për rreth 50 për qind, krahasuar me vitin paraprak.

Kështu thotë kryetari i Shoqatës së importuesve të peletave, Vlladimir Stojanovski i cili nënvizon se çmimi i një qese me peleta këtë vit mund të blihet madje edhe për 260 denarë.

“Këtë vit për dallim prej vitit të kaluar ka stabilizim të tregut të peletave. Vitin e kaluar kishte disbalanc të madh mes ofertës dhe kërkesës dhe si rezultat i kësaj çmimet shkuan shumë lart, jo vetëm në Maqedoni, flas në aspekt rajonal dhe në të gjithë kontinentin e Evropës. Çmimet janë ulur në mënyrë drastike për dallim prej vitit të kaluar dhe sillen dikund rreth 260, 270, 280 denarë për qese prej 15 kilogramësh. Çmimet e vitit të kaluar arritën edhe 450 denarë e më lart për një qese prej 15 kilogramësh”, u shpreh Vladimir Stojanovski, Shoqata e importuesve të peletit.

Disbalanci mes ofertës dhe kërkesës shtoi ai, çoi edhe në krijimin e tregut gri, ku individë të caktuar kanë mashtruar qytetarët duke ofruar çmime joreale për tregun e peletave, duke marrë të holla prej qytetarëve dhe duke mos dërguar sasinë për të cilën qytetarët kishin paguar.

“Vitin e kaluar kishte shumë zonë gri në pjesën e shitjes, pasi kishte kërkesë të lartë dhe ofertë të ulët, dhe për fat të keq, edhe policia e din këtë, kjo është e denoncuar domethënë, për fat të keq u paraqitën tregtarë individë që arritën të mashtrojnë njerëz, të paguajnë sasi për çmime shumë të ulëta, joreale për tregun dhe normalisht ato sasi asnjëherë nuk i morën. Kjo është punë e policisë. Porosia këtu është të blihet nga prodhues dhe tregtarë që janë me renome dhe që janë më gjatë në treg, të jenë më të sigurt për atë që e blejnë edhe si garanci e kualitetit edhe garanci të mjeteve të tyre”, tha Vladimir Stojanovski, Shoqata e importuesve të peletit.

I pyetur nëse kanë informacione që prodhues të caktuar që prodhojnë peleta në të zezë, nuk selektojnë se çfarë fusin në makinën prodhuese, respektivisht nuk respektojnë standardet e prodhimit, gjë që rrezikon shëndetin e qytetarëve pasi ndot ajrin, Stojanovski tha se tek shoqata nuk kanë arritur informacione të tilla, por edhe nëse ka ata do të ishin raste të izoluara.