Kolumna

Kjo është bukuria e Dibrës që po rrezikohet nga “kthetrat” e Rilindjes

Munir Hoxha

Po postoj materialin i cili do të referohet në Konferencën sensibilizuese për Hec-in e Skavicës, nesër në Peshkopi, datë 24 shkurt 2022 e përgatitur nga Dr.shkencave Adriatik Balla…

Kush e shpiku “Skavica shpëton Shkodrën nga përmbytjet” dhe si e shfrytëzuan politikanët analizën hidrologjike të profesor Niko Panos?

Fotografia (imazh) që përcillet edhe në këtë status, botuar në maj 2020 nga “Earth Observatory”, është e astronautëve dhe mban kodin ISS062-E-40353, e përfituar më 21 shkurt 2020, me një aparat fotografik dixhital Nikon D5 duke përdorur një lente 400 milimetër dhe është siguruar nga “Facility Observations Earth Earth Crew” dhe “Earth Science and Unit Sensing Unit”, “Johnson Space Center”. Imazhi është marrë nga një anëtare e ekuipazhit të Ekspeditës 62 (Sara Schmid).

Po çfarë thotë materiali shoqërues i këtij imazhi?

Në këtë përshkrim të shkurtër jepet një fakt interesant, i thënë më parë në formën e hipotezave, por tani i argumentuar edhe shkencërisht. Edhe pse në materialin bashkëshoqërues mbi përcaktimin e origjinës së liqenit, ka një gjysmëgabimi, duke e quajtur karstik (në fakt është tektoniko-karstik), ka dhënë një fenomen që duhet vlerësuar. Ai ka të bëjë me lëvizjen e sedimenteve në tabanin e liqenit, ose aluvioneve në pezulli, në formën spirale (vorbulle) në qendër të tij. Këto sedimente kanë origjinë lumore nga Moraça dhe përrenjtë që derdhen në bregun lindor të liqenit prej Alpeve Perëndimore.

Por, kujdes! Është vërtetuar tashmë edhe nga hidrologët tanë, por edhe gjeografët tanë (Qiriazi, Kabo, Gruda etj), se në periudhën ujëshumë, sidomos në vite të veçantë, kur Drini ka prurje të madhe, për shkak të cektësisë së shtratit të Bunës, ujërat e tij si pasojë e ngritjes së nivelit derdhen pjesërisht në liqenin e Shkodrës, e për pasojë duke e fryrë në ekstrem sipërfaqen e liqenit i cili krijon përmbytje të lagjeve të qytetit. Natyrisht, nga kjo situatë e pësojnë dhe shumë fshatra në fushën e Nënshkodrës që janë në kufi me Bunën.

Në faqet 299-300, profesori Niko Pano, tashmë i ndjerë, në veprën e tij “Pasuritë Ujore të Shqipërisë”, botuar fillimisht në vitin 2008 e më pas ribotuar nga Akademia e Shkencave në vitin 2015, shkruan konkretisht:

“Për shkak të aftësisë së vogël ujëmbledhëse të lumit Buna, nivelet e liqenit të Shkodrës gjatë periudhës shumëvjecare pësojnë lëkundje të mëdha, nga 5.5 në 10 m mbi niveline detit. Si rrjedhim, edhe sipërfaqja e pasqyrës së ujërave të këtij liqeni ndryshon në kufij të gjerë, përkatësisht nga 377 deri në më shumë se 524 km2. Këto amplituda bëjnë të mundur që në periudhën e lagët të vitit, të përmbyten sipërfaqe të mëdha toke, sidomos në brigjet e ulëta V e VP të liqenit. Regullimi i regjimit ujor të liqenit të Shkodrës mund të arrihet nëpërmjet stabilizimit të lëkundjeve të niveleve Brenda kufinjve optimal që si rrjedhim do të shprehin efektin e tyre në zvogëlimin e volumit të përgjithshëm të ujërave aktive të këtij liqeni. Një rol të madh, në lehtësimin e masave për këtë rregullim e kanë liqenet artificial të HC të kaskadës së Drinit në Fierzë, Koman dhe Vau i Dejës, e në të ardhmen e afërt ndikimi i HC i Skavicës, ndërtimi i të cilëve ndikon në rregullimin e regjimit ujor të lumit Drin nëpërmjet shuarjes së plotave dhe akumulimit të lëndëve të ngurta”.

Siç dihet, profesor Pano ishte hidrolog dhe sikurse të gjithë hidrologët e tjerë shquhen për pasionet e tyre ndaj ujit, me pak fjalë të gjithë hidrologët janë për ndërtimin e HC-eve jo vetëm në kaskadën e Drinit por në çdo lumë të vendit. Këtu s’ka asgjë të re. Edhe pse një analizë e gjerë për pasuritë ujore, vepra e profesorit ka mjaft lapsuse në brendi të tij, përfshi edhe faqet kur flitet për Drinin e Zi dhe Skavicën. Madje, nuk dua ta teproj, duket në analizën e Drinit të Zi, sikur vepra është bërë enkas për Skavicën.

Megjithatë, duke qenë se unë e kam dashur shumë dhe e kam vlerësuar, e po ashtu më ka vlerësuar ai mua, do të përmbahem të jem kundërshtues i tij (për më tepër që profesori është ndarë nga jeta në vitin 2017) por në këtë trajtesë dy elementë bien në kundërshti me njëri-tjetrin.

Së pari, me faktin që vetë profesori pranon që ujërat e Drinit derdhen në liqen si pasojë e aftësisë së vogël shkarkuese të Bunës. Direkt dhe indirekt pranohet që pasqyra e ujërave të liqenit fryhet në periudhën e lagët edhe nëse nuk do të derdhej Drini aty, pasi Buna ka aftësi të paktë shkarkuese të një volumi kaq të madh uji që grumbullohet në liqen gjatë dimrit nga pellgu i tij ujëmbledhës (në vite të veçantë Bunës i duhet të nxjerrë nga liqeni mbi 2-3 mijë m3 ujë/s).
Së dyti, disa vite më parë, kur u bë provë me HC që të mbanin një volum të madh ujor për të mos krijuar përmbytje, rezultoi e kundërta, prurjet e mëdha rrezikuan të përmbytnin vetë digat e u desh të hapeshin portat e për pasojë u përmbytën dhjetëra fshtara në ultësirën e Shkodrës, me pasoja mjaft të rënda. E pra, në këtë rast HC luajtën rol të kundërt.

Të thuash se Skavica do të shpëtojë Shkodrën nga përmbytjet, kur në vite të veçantë Drini i Bashkuar derdh në Bunë deri në 2-3 mijë m3 ujë/s, kjo është e paqëndrueshme shkencërisht. Përmbytjet nuk shkaktohen në kohë normale, por kur ka prurje shumë të mëdha, në periudhat me shi intensiv që korrespondojnë edhe me shkrirjen e shpejtë të borës, e ku nuk ka HC që e përballon e duhet me patjetër të hapen portat që të shkarkohet uji i tepërt. Këtë nuk e zgjidh as “Skavica” e asnjë HC tjetër.

Duke iu referuar të dhënave që jep vetë autori Pano në veprën e tij, na lind e drejta e pyetjes: Në periudhën ujëshumë, kur dy Drinat bëhen bashkë, pasi kanë marrë më tej edhe ujërat e Valbonës, Shalës, etj, e ku i kapërcen 2 mijë m3 ujë/s, e një herë në 100 vjet deri në 4 mijë m3 ujë/s, si do ta shpëtojë Shkodrën nga përmbytja HC i Skavicës?

P.s. Ky artikull i shkurtër i dedikohet konferencës që ka nesër në Peshkopi mbi çështjen e Skavicës dhe natyrisht ngritjen me të drejtë kundër të dibranëve që u rrezikohen shtëpitë, varret e të parëve dhe gjithë e kaluara historike e tyre.