Maqedoni

Kiril Petkov: “Nëse ka vullnet politik, mosmarrëveshja me Shkupin do të zgjidhet këtë vit”

“Nëse ka vullnet politik, kontesti me Shkupin do të zgjidhet këtë vit”, tha kryeministri bullgar Kiril Petkov në takimin e djeshëm në Sofje, me ministren austriake për çështje evropiane, Karolin Edshtadler, njoftojnë mediat vjeneze. Ajo nga ana tjetër vlerësoi se ka lëvizja përpara, dhe është optimiste për fillimin e procesit të negociatave, shrkuan Alsat.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në intervistë për MIA-n, tha se me liderët evropianë në Bruksel ka biseduar për mënyrën, por edhe për shpejtësinë, që do të çonte në mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

“Unë them se duhet shpejtësi në zgjidhje, por them se nuk duhet të nxitojmë me zgjidhjen. Sepse zgjidhja që do të arrihet duhet të jetë bazë, që do të pranohet nga të dyja palët dhe që do të jetë bazë për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, por edhe bazë për përparim të shpejtë të Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt integrimit të plotë dhe anëtarësimit të plotë në BE”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Nga Komisioni Evropian, thanë për Alsat se duhet shfrytëzuar momenti pozitiv për të gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjen dypalëshe, e cila do të zhbllokonte edhe Tiranën.

“Politika e zgjerimit bazohet në rezultatet e arritura, ndërsa të dyja vendet kanë dhënë rezultate. Qëndrimi i Komisionit është i qartë. Konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të mbahet sa më shpejt”, tha Ana Pisonero – Zëdhënëse e KE-së

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani, konfirmoi se çështjet e hapura politike me Bullgarinë do të hidhen në letër.

“Është e rëndësishme që të gjitha çështjet, ato që janë të rëndësishme për ne dhe të rëndësishme për Republikën e Bullgarisë, të jenë të ndërlidhura dhe brenda një afati kohor brenda një pakete të rënë dakord. Vetëm në atë mënyrë do të kemi garanci se po e mbyllim këtë çështje këtu, dhe nuk do të diskutojmë më tutje për çështje të tjera”, tha Bujar Osmani – Ministër i Punëve të Jashtme

Ndërkohë, Osmani informoi se asnjë deputet deri më tani nuk i është përgjigjur ftesës që të vijë në ministri, dhe të ketë një pasqyrë të përmbajtjes së “non-pejperit” përmes të cilave debatohet për çështje të hapura me Sofjen. /Alsat.mk