Kim Mehmeti: Po ndërtohet “Serbia e madhe”, piktori i puth këpucët ‘mbretërve’ serb dhe pështyn dorën e vëllait shqiptar
Kim Mehmeti thotë se po ndërtohet Serbia e madhe.
Për këtë ai thotë se i referohet disa qarqeve serbe.
Nisur nga Forumi Ekonomik Rajonal që po mbahet në Shkup, Mehmeti shprehet se shefi i qeverisë shqiptare ka rënë dakord për shitjen e interesave të Shqipërisë.
Shkrimi i plotë
Kryeministri i Shqipërisë, ai e Maqedonisë së Veriut dhe Presidenti i Serbisë janë takuar në Shkup nga ku do e çojnë përpara projektin e tyre të “Minishengenit Ballkanik’, e për të cilin edhe vetë qarqet serbe thonë se është hap i rëndësishëm drejtë realizimit të ‘Botës serbe (lexo: ‘Serbisë së Madhe’).
Dhe përderisa dihet se pa Beogradin, sllavo-maqedonasit ndjehen si fëmija pa nënën që e ka lindur dhe e ka mëkuar, shtrohet pyetja e logjikshme: ç’është ajo që Shqipërinë e bënë më të afërt me Serbinë, se sa me Kosovën?!
Ku ta dish, vëllazëria mes Piktorit dhe Presidentit serb mbase ka të bëjë me hallin e përbashkët që ata dy i bënë të mos e duan e ta kenë frikë BE-në: telashet që kanë me ligjin si dhe, dëshira që shtetet e tyre të mbeten ‘lopë’ të cilat i ushqen i tërë populli, por që i mjelin vetëm ata dy!
Por sidoqoftë, duhet pranuar: Piktori kurrë nuk e ka fshehur se më mire ndjehet me kolegët e vet sllavë, se sa me ata shqiptarë. Pastaj tek ai qartë shihet një veçori për të cilën mund t’ia kesh edhe zili: atij nuk i bëjnë fare përshtypje kritikat e shqiptarëve dhe e jeton të plotë lirinë e vet politike. Ashtu siç e jetojnë vetëm ata të cilëve u mungon ndjesia e turpit.
Ku ta dish, mbase këto tipare janë ato që atë e bëjnë të duket se i ka të gjitha për ta pëlqyer Presidenti serb dhe thuajse asgjë për ta besuar shqiptarët. Tipare që atë e çojnë të besojë se politika është e kundërta e të vërtetës dhe ndershmërisë.
Por sidoqoftë një gjë duhet pranuar: Piktori vepron kështu sepse ka ende shqiptarë që e duan si të tillë dhe të cilët, nuk e kanë kuptuar se për dallim nga fatkeqësitë natyrore, pas të cilave bota bimore e shtazore ringjallet thuajse siç ka qenë më parë, pas fatkeqësive politike asgjë nuk mund të ribëhet e të ringjallet.
Po pra, në Shkup janë takuar ithtarët e ‘Mini Shengenit Ballkanik’: Aty mungojnë shumë liderë të këtyre hapësirave, mes të cilëve edhe Kryeministri i Kosovës, gjë që siç duket aspak nuk i pengon Piktorit. Me çka tregon se është si i ardhur nga kohët kur drejtuesit e Shqipërisë, mburreshin kur i puthnin këpucët e ‘mbretërve’ serb, por nuk turpëroheshin kur e pështynin dorën e vëllait të vet shqiptar!