Këshilltarja lokale e BE-së – Macronit: Ti nuk je më i mirë se Vuçiqi, ndaloje këtë sjellje antievropiane
Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka reaguar pas deklaratës së presidentit francez, Emmanuel Macron i cili tha se Franca ka pezulluar liberalizmin e vizave për Kosovën.
Schneeberger ka thënë se ajo çfarë po bëjnë përfaqësuesit e BE-së, në lidhje me Kosovën është e turpshme dhe se me këto veprime po e dëmtojnë reputacionin e vendit.
Pasi sipas saj, tashmë Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave.
“Ajo që po bëjnë përfaqësuesit e BE-së në lidhje me Kosovën është absolutisht e turpshme. Ata po e bëjnë BE-në të duket qesharake dhe po e dëmtojnë reputacionin e saj. Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Dhe përsëri një vend vjen dhe përpiqet të ndryshojë rregullat në momentin e fundit dhe të bllokojë gjithçka. Është pikërisht kjo sjellje joevropiane që po na shkakton gjithë telashet që po përjetojmë. Putin & Company janë të lumtur për këto lojëra budallaqe që na dobësojnë në vend që të na forcojnë”, shkroi ajo në platformën “X”.
Tutje theksoi se “Macron, me këtë sjellje po destabilizon situatën në Kosovë. Ti nuk je më i mirë se Vuçiq. Ndaloni menjëherë këtë sjellje të trashë, anti-evropiane. Emmanuel Macron, a dëshiron të jesh një burrë shteti i madh evropian? Pra veproni ashtu”.