Këshilli Gjyqësor vazhdon ta mbroj kryetaren e Gjykatës së Kumanovës
Këshilli Gjyqësor as sot nuk gjeti forcën për të shkarkuar nga detyra kryetaren e Gjykatës Themelore në Kumanovë, Snezhana Manev. Edhe pse në seancën e paraparë ishte pikë e parë e rendit të ditës, organi më i lartë gjyqësor në vend duket se nuk gjeti gjuhën e përbashkët për të caktuar një ushtrues tjetër detyre dhe për këtë arsye anuloi mbledhjen në tërësi. Këshilli nuk kishte arsyetim zyrtar për anulimin e mbledhjes, por në rrethana jo zyrtare mësohet për pa përputhshmëri qëndrimesh dhe mungesë të emrit që do ta zëvendësonte Manevan në cilësinë e ushtrueses së detyrës. Mbledhja e radhës nuk dihet se kur do të vazhdon.
Përskaj faktit që Këshilli Gjyqësor tashmë ka miratuar një raport në të cilin janë konstatuar shkelje të shumta, Manev arrin t’i mbijeton shkarkimit. Raporti i miratuar në mars të këtij viti kishte konstatuar se Manev ka: keqpërdorur sistemin AKMIS, ka cenuar marrëdhëniet kolektive në gjykatë dhe nuk ka evidentuar e arsyetuar ndryshimin e gjykatësve nëpër lëndë.
Për të mos mjaftuar gjendja faktike nga raporti që Maneva të shkon në përgjegjësi, e njëjta së fundi i është nënshtruar dy herë testimit psikologjik. Më 4 korrik kur Maneva i ishte nënshtruar testimit, Instituti për hulumtime juridike, politike dhe sociologjike kishte konstatuar se Maneva nuk ka arritur të kalon testimin me sukses për shkak ndjesisë së lodhjes, prandaj i është rekomanduar testimit tjetër pas 10 ditëve. Pavarësisht rekomandimit, Maneva i është nënshtruar testimit më 31 gusht, ndërsa më 1 shtator Instituti ka njoftuar dhe rekomanduar që Maneva i plotëson kushtet që të zgjidhet kryetare e Gjykatës Themelore të Kumanovës.
Shkeljet e Manevas ishin miratuar edhe në raportin e 13 marsit, raport i cili në Këshill është votuar me 8 vota “për” dhe 4 vota “kundër”. Paraprakisht më 11 mars ministri i Drejtësisë, Krenar LLoga adresoi kërkesë tek Këshilli Gjyqësor që të ndërmerr masa urgjente ndaj ushtrueses së detyrës kryetare e Gjykatës së Kumanovës.