Këshilli Gjyqësor miratoi ndryshimet e rregullores së punës
Me 8 vota “për” dhe asnjë “kundër”, Këshilli Gjyqësor miratoi propozim amendamentet dhe plotësimet në Rregulloren e Punës së Këshillit Gjyqësor, që janë pjesë e rekomandimeve të shënuara në raportin e Misionit Vlerësues të BE-së për punën e këtij këshilli. Rregullorja e plotësuar tashmë parashikon që anëtarët e Këshillit Gjyqësor me të drejtë vote, detyrimisht obligohen të shpjegojnë vendimet për zgjedhjen ose moszgjedhjen e gjykatësve dhe kryetarëve të gjykatave në të ardhmen, ndërsa për herë të parë, për këtë punë parashikohen edhe afate veprimi në të gjitha fazat e procedurës. Kryetarja dhe anëtarët e Këshillit Gjyqësor janë të bindur se me këtë do t’i jepet fund njëherë e përgjithmonë praktikës së deritanishme të mosdhënies së shpjegimeve nga ana e anëtarëve, sidomos nëse kandidatët e parë të ranguar për gjykatës apo kryetarë të gjykatave nuk zgjidhen nga ana e tyre.
“Tani më tutje gjatë votimit, anëtarët e Këshillit Gjyqësor janë të obliguar përveç shpjegimit të votës së dhënë “pro”, për zgjedhjen e kryetarëve të gjykatave apo gjyqtarëve, tani jemi të obliguar të shpjegojmë edhe vendimet për moszgjedhje të kryetarëve. Pra, çdo vendim i yni kur do të votohet edhe për zgjedhjen edhe për moszgjidhjen, ne duhet të shpjegojmë hollësisht vendimin dhe votën për të cilën kemi marrë.”, – theksoi anëtari i Këshillit Gjyqësor, Selim Ademi.
“Vendimet duhet të jenë të individualizuara, të bazuara në standarde objektive, të qëndrueshme dhe krahasuese. Shpjegimet standarde tashmë nuk duhet të përdoren në proces.”, – deklaroi kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva.
Përveç kësaj, anëtarët e Këshillit Gjyqësor janë të bindur se ndryshimet në fjalë do të pengojnë ruajtjen e lëndëve nëpër sirtarë dhe se çdo veprim përtej afateve të përcaktuara do të sjellë pasoja të caktuara.
“Kështu lëndët nuk do të mund të ruhen apo të harrohen nëpër sirtarë. Me këtë ndryshim, çdo veprim jashtë afateve të përcaktuara do të thotë veprim jo të azhuruar të një anëtari të këshillit apo nga vet këshilli, që në të ardhmen gjithsesi do të sjellë pasoja për të gjithë ne në formë kolektive.”, – u shpreh kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva.
Me miratimin e ndryshimeve të reja të rregullores së punës të Këshillit do të implementohet edhe rekomandimi i 8-të i planit aksional, i cili parashikon edhe përfshirjen dhe kyçjen e Shoqatës së Gjyqtarëve dhe organizatave tjera civile, që ndjekin punën e këtij këshilli gjatë debatit dhe miratimit të raportit vjetor të Këshillit Gjyqësor, thanë anëtarët./TVM2