BallinaMaqedoni

Keqpërdorimet për fasadën dhe ndriçimin e objektit të Qeverisë, Prokuroria me aktakuzë ndaj katër personave

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka dorëzuar aktakuzë kundër një personi dhe propozim akuzë katër personave për keqpërdorime në lidhje me rikonstruimin e fasadës dhe ndriçimin e ndërtesës së Qeverisë, e cila ka qenë pjesë e projektit “Shkupi 2014”.

Akuza, sipas Prokurorisë bazohet në prova të periudhës shkurt – prill të vitit 2013, me çka i është shkaktuar dëm buxhetit të shtetit rreth 3 milionë euro. Në mesin e të akuzuarve, janë drejtuesi i kompanisë ndërtimore “Bauer BG”, por edhe ish drejtori i Shërbimit për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, Vase Donev.

Drejtuesi i Bauer BG, sipas Prokurorisë i ka shkelur dispozitat për furnizime publike dhe ngarkohet për veprën penale “Keqpërdorim të procedurës për thirrje publike, ndarje të marrëveshjes për furnizime publike ose partneritetet publiko-privat”. I akuzuari ka nënshkruar marrëveshje për pjesëmarrje të përbashkët me tre persona juridik, me qëllim që burimet e tyre të merren parasysh gjatë vlerësimit të ofertës, edhe pse nuk ka pasur qëllim që kompanitë tjera të marrin pjesë në zbatimin e punimeve.

Në kundërshtim me ligjin, sipas Prokurorisë nuk ka paraqitur nënkontraktorë tjerë të cilët ka planifikuar t’ua lejojë një pjesë të punëve. Pasi e ka marrë marrëveshjen, drejtuesi i kompanisë nuk i ka respektuar obligimet e marrëveshjes, me çka kompania e tij ka realizuar dobi financiare në vlerë mbi 7,6 milionë euro.

Bashkë me drejtuesin, akuzohen edhe tre ish funksionarë dhe mbikëqyrës, të cilët sipas Prokurorisë, me vetëdije kanë lejuar aktivitete të paligjshme.

“I akuzuari i dytë, drejtor i shërbimit qeveritar, nuk e ka plotësuar detyrën zyrtare dhe nuk ka reaguar ndaj shkeljeve të dukshme në mënyrën e zbatimit dhe përdorimin e materialeve. Edhe pse ka fituar dokumentacion për materialet, ai nuk ka theksuar kurrfarë vërejtje. I akuzuari i tretë dhe i katërt, si persona përgjegjës në procesin e mbikëqyrjes, nuk i kanë plotësuar obligimet e tyre dhe nuk kanë verifikuar nëse materialet e vendosura janë përkatëse me kërkesat projektuese”, thonë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Sipas Prokurorisë, kjo ka rezultuar me dëme të konsideruese për shtetin, pasi elemente jopërkatëse janë vendosur në objektin e qeverisë.