Këngëtari Arif Vladi i kushton këngë veprimtarit dibran, Turan Rusi: “U rrit në votrën e mençurisë, babë e gjysh luftëtarë të lirisë”! (Video)
Dibra i ka dhënë shumë veprimtarë kombit, si në vendlindje, poashtu edhe në diasporë. Një nga emrat e veprimtarëve të mëdhenj dibranë në diasporë pa dyshim është Turan Rusi, tashmë i ndjerë, i cili sa ishte gjallë asnjëherë nuk e kurseu as mundin as pasurinë për çështjen kombëtare, shkruan portali Lideri.mk.
Largimi në Amerikë, ku arriti të ngritë dhe zhvillojë biznes të suksesshëm nuk e largoi Turan Rusin as nga vendlindja e as nga kombi. Përkundrazi, me një elan edhe më të madh vazhdoi veprimtarinë e tij të palodhshme, që erdhi në shprehje në momentet më të lavdishme, por edhr të vështira për kombin tonë.
Veprimi dhe lobimi i tij ishte mjaft i rëndësishëm si në Kongres, në Senat, poashtu edhe në State Departament, e deri në Shtëpinë e Bardhë, thonë për Lideri.mk bashkëveprimtarët e tij.
“Për Turan Rusin nuk kishte derë të mbyllur as në Nju Jork e as në Uashington kur ishte në pyetje çështja kombëtare”, thotë Ylber Pilku një mërgimtar tjetër dibran që jeton dhe vepron me dekada në SHBA, duke evokuar kujtime për bashkëvendasin e tij, Turan Rusi.
Për punën dhe kontributin e Turan Rusit është thënë dhe është shkruar shumë. Këtë kontribut së fundmi e ka përjetësuar me një këngë edhe Mjeshtri i Madh i muzikës shqipe, Arif Vladi.
“U rrit në votrën e mençurisë, babë e gjysh luftëtarë të lirisë”, është një nga vargjet të cilat këngëtari Vladi ia ka kushtuar jetës së patriotit Turan Rusi.
Ndryshe, veprën e Turan Rusit, si në rrafshin kombëtar, poashtu edhe në sferën e biznesit, e kanë vazhduar tre djemtë e tij Selimi, Ilirjani dhe Arbeni.
Selim Rusi, i cili mban edhe emrin e gjyshit, shquhet ndër biznesmenët më të shquar shqiptarë në SHBA, me biznese të ndryshme në të cilat punëson mbi 1.000 punëtorë. Ai shquhet edhe për lidhjet dhe miqësitë e fuqishme në politikën e nivleve më të larta amerikane, lidhje të cilat gjithsesi i shfrytëzon për afirminin e shqiptarëve./Lideri.mk
Këngën e Arif Vladit kushtuar veprimtarit Turan Rusi mund ta përcillni në videon më poshtë: