Rajon - Botë

Kamberi: Handke u dekorua me medalje nga Vuçiqi për idetë e tij politike

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se fituesi i çmimit Nobel për letërsi vitin e kaluar, Peter Handke, nuk u dekorua nga presidenti serb për krijimtarinë e tij letrare, por për idetë e tij politike.

Çmimin për Hande, ka shkruar Kamberi, është “anti-drejtësi për viktimat, anti-pajtim midis popujve dhe anti-paqe për rajonin”.

Shkrimtari Peter Handke nuk është dekoruar me “Urdhrin e Yllit të Karagjorgjeviqit” nga Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq për krijmtarinë e tij letrare, por për idetë e tij politike.

“Se çmimi për Handke është së pari vazhdimësi e legjitimimit institucional dhe shtetëror nga Republika e Serbisë, të mohimit të gjenocidit të Srebrenicës dhe të krimeve masive të kryera nga forcat serbe, në hapësirat ish-jugosllave përgjatë viteve ’90. E së dyti, marrë parasysh frymën e vizitës dhe profilin e takimeve të Handke-s në Republikën Serbe të Bosnjes para ardhjes në Beograd, edhe frymëzim i idesë për Serbinë e Madhe”, ka shkruar Kamberi.

Të hënën, presidenti serb Aleksandër Vuçiq, e ka dekoruar Peter Handken me medaljen më të lartë shtetërore “Urdhri i Yllit të Karagjorgjit”.