Kaltrina Abdili, vajza nga Tetova që po i bën krenar shqiptarët në Zvicër, fiton Çmim prestigjioz ndërkombëtar (Video)
Health 2.0 Conference është forumi më i madh për profesionistët e Shëndetësisë dhe liderët e biznesit, që synon të ndryshojë dhe përmirësojë kualitetin e jetës së miliona njerëzve duke revitalizuar kujdesin shëndetësor anembanë botës. Ky forum mbahet çdo vit në metropole të ndryshme të botës, kurse sivjet është po mbahet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Në Forumin që ka filluar të premten dhe do të mbyllet të dielën (17-18 dhjetor 2022), Çmim i veçantë i është ndarë Kaltrina Abdilit, një vajzë e suksesshme me prejardhje nga Tetova, që jeton në Zvicër.
Mediat shqiptare kanë shkruar edhe më herët për Kaltrinën dhe suksesin e saj në Universitetin e njohur të St. Gallenit, por me Çmimin e fituar në samitin e Dubait, ajo ka ngjallur edhe një herë interesin e opinionit.
Kaltrina Abdili ka fituar këtë çmim që ndahet për liderët e rinj të suksesshëm, falë shpirtit afarist, etikës së fuqishme të punës, si dhe kontribut për ruajtjen e klimës. Si magjistre e ekonomisë, ajo tani punon me sukses në kompaninë zvicerane me nam botëror, Roche Diagnostic, kurse për Çmimin e fituar në Dubai është nominuar nga Universiteti i St. Gallenit.
“Ndjehem thellësisht e nderuar dhe jashtëzakonisht e emocionuar që gjendem para jush për të pranuar këtë Çmim për lidership. Jam e lumtur që përgjegjësinë time jetësore ia kam kushtuar gjetjes së zgjidhjeve për çështjet shëndetësore. Kjo vërehet edhe në përvojën time 15 vjeçare në industrinë shëndetësore-jo vetëm më herët si CEO në Klinikë shëndetësore në Zvicër, por edhe në angazhimin aktual ndërkombëtar në Roche Diagnostic.
Ky Çmim dedikuar për të rinjtë e dëshmuar në lidership, ka rëndësi të madhe për mua, pasi besoj se meritat që më kanë sjellur këtu, janë përfituar në kohën e rinisë”, tha mes tjerash Kaltrina, pasi pranoi çmimin prestigjioz botëror.
Përveç profesionit, që ushtron me sukses, ajo poashtu parapëlqen që një pjesë të kohës tia kushtojë punës vullnetare si Mentore në Universitetin e St. Gallenit, duke përkrahur në mënyrë aktive rininë dhe liderët e rinj potencialë në gjendjen e inspirimit të përditshëm, që të bëhen inovatorë në sfera të ndryshme. Ky angazhim vullnetar, zaten i ka sjellur edhe famën ndërkombëtare, që është kurorëzuar me Çmimin e fituar në Forumin “Health 2.0 Conference”
“Dua të shpreh falënderim për familjen time, për Roche Diagnostic, Universitetit të St. Gallenit dhe për të gjithë ata me të cilët punoj çdo ditë. Falemnderit për përzgjedhjen tuaj dhe për besimin tuaj tek unë. Do të mundohem të bëj më të mirën e mundshme për të arsyetuar besimin tuaj tek unë dhe do të vazhdoj kontributin në sferën e shëndetësisë”, premtoi shqiptarja nga Tetova, rezultatet e së cilës tani kanë kaluar kufijtë e Zvicrës, ku jeton, duke marë këto rezultate edhe karakter ndërkombëtar.
Videon nga ceremonia e ndarje së Çmimit mund ta përcillni në këtë Link: https://fb.watch/htK0peDXvl/?mibextid=v7YzmG
Kush është Kaltrina Abdili?
Edhe pse ka lindur dhe është rritur në Zvicër, Kaltrina Abdili me respekt të veçantë flet për qytetin e origjinës, Tetovën. Mirëpo edhe Tetova mund të krenohet me sukseset e saj. Kaltrina, e lindur më datë 13.07.1992, në një familje me traditë intelektuale.
“Jam krenare për prejardhjen time nga Tetova dhe jam krenare që jam mbesë e Shkupit, prej ku është mami im”, ka thënë Kaltrina në prononcimet e mëhershme.
Kaltrina është vajzë e mjekut të njohur tetovar në Zvicër, Shemun Abdili. Për këtë arsye profesioni i babait, mjekësia, ka qenë një nga profesionet që e ka tërhequr, por jo sa ekonomia. Prandaj dashurinë për ekonominë ka vendosur ta vazhdojë edhe në studimet e doktoraturës, që i vazhdon në Universitetin e St. Gallenit, ku edhe ka magjsitruar.
Për temë të doktoraturës ka zgjedhur “Contactless Customer Experience”, një temë mjaft atraktive dhe aktuale në këto kohë të ekonomisë moderne. Kaltrina premton se do të bëjë të gjitha përpjekjet që edhe doktoraturën ta përfundojë me sukses maksimal. Nuk përjashton mundësinë që pastaj të kthehet edhe në Maqedoni për të dhënë kontributin e saj profesional në vendlindje.
“Një nga dëshirat e mia është të kthehem atje prej nga ka ardhur familja ime. Por gjithçka varet se a do të krijohen kushte të volitshme për kthimin e kuadrove të reja. Tani prioritet e kam doktoraturën”, thekson Kaltrina Abdili, një nga shumë vajzat dhe djemtë shqiptarë që me sukseset e tyre po na bëjnë krenar në Zvicër dhe në vendet tjera perëndimore./Lideri.mk