BallinaMaqedoni

Kaloi interpelanca e së Majtës, Ilire Dauti u shkarkua nga funksioni i kryetares së Komisionit për Politikë Sociale

Me 61 vota ‘për’, 22 ‘kundër’ dhe asnjë ‘të përmbajtur’ deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut përkrahën interpelancën e partisë ‘E Majta’ për shkarkimin e deputetes së Frontit Evropian Ilire Dauti nga detyra e kryetares së Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Në votim nuk morën pjesë deputetët e LSDM-së, raporton Portalb.mk.

Çfarë u tha në debatin e interpelancës ndaj Dautit?

Debati për interpelancën ndaj Dautit ishte i ashpër midis deputetëve maqedonas dhe atyre shqiptarë.

Interpelanca është dorëzuar në Kuvend në nëntor (2024) nga gjashtë deputetët e partisë “E Majta”, ndërsa sot para deputetëve interpelancën e ka arsyetuar deputeti Sashko Jançev.

Ai tha se Ilire Dauti me sjelljen e saj të pamatur, të papërgjegjshme, antikushtetuese dhe të kundërligjshme po e pengon Ligjin për “Branitellat”.

“Kryetari i Komisionit nuk ka thirrur seancë për Ligjin, duke shkelur Kushtetutën, Ligjin për deputetë dhe Rregulloren e punës. Deputetëve iu është mohuar e drejta e fjalës, e drejta për të ndërhyrë me amendamentet e këtij ligji dhe e drejta për të marrë pjesë në trupat punues të Kuvendit”, tha Jançev.

Edhe VMRO-DPMNE, është e mendimit se deputetja Dauti ka punuar kundërligjshëm dhe në mënyrë tendencioze.

“Duhet të tregoni kapacitete demokratike. Me meritë e morët këtë interpelancë. Ndoshta, tashmë e mësuat leksionin. Nuk mbrohet kështu krimi”, e ka porositur deputeten Dauti, deputetja e VMRO-DPMNE-së Bllagica Llasovska.

Ndërkaq, deputetja Ilire Dauti interpelancën e partisë “E Majta” e ka cilësuar si demonstrim të fuqisë dhe diktat ndaj punës së një deputeti që mendon ndryshe.

“Ka të bëjë me të gjithë ne. Është test mbi demokracinë dhe shtyllat bazë të saj, pra lirinë dhe barazinë. Unë kam një kërkesë. Me shkarkimin tim, nuk zgjidhet çështja. Prandaj, kërkesa ime është të ulemi të gjithë bashkë. Të ripërpunojmë Ligjin, duke përfshirë të dy palët, në të njëjtat kushte, edhe forcat e sigurisë edhe ish ushtarët e UCK, në përkujdesjen financiare të shtetit, sepse fundja këtë të gjithë e kemi pranuar me përfundimin të konfliktit, atëherë kur nënshkruajtëm një marrëveshje të përbashkët”, tha deputetja Dauti.

Imerlije Saliu, deputete e koalicionit VLEN, njëherazi anëtarë e Komisionit Parlamentar për Politikë Sociale, Demografi dhe Rininë i ka dalë në mbrojtje deputetes Dauti.

“Komisioni është ndërprerë disa herë, po kjo gjithmonë duke u bazuar në rregulloren e Kuvendit. Ne e kemi cilësuar si provokim sjelljen e këtij ligji. Kemi bërë thirrje të vazhdueshme në ruajtjen e kohezionit ndëretnik. Nuk është mirë të zgjidhet statusi i dikujt duke e dëmtuar dikë tjetër. Kur preken ndjenjat tona kombëtare ne dimë të dalim jashtë linjave partiake”, ka thënë mes tjerash deputetja Saliu, duke akuzuar partinë “E Majta” se janë kundër barazisë në vend.

Deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi, nga foltorja e Kuvendit ka shprehur mbështetjen e parezervë për Ilire Dautin. “Mbështetjen time e keni pa rezervë. Nuk ka nevojë për të arsyetuar për punën që e bën në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ai.

Nga Lidhja Social- Demokrate nuk kanë marrë pjesë në seancë, ndërkaq në konferencë për media kanë thënë se qëllimet e interpelancave janë krijimi ndasive etnike, kjo sipas tyre, strategji tashmë e njohur e BDI dhe VMRO-DPMNE.

Si erdhi deri te interpelanca ndaj deputetes Dauti?

Kryetarja e Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, deputetja Ilire Dauti u akuzua nga E Majta se ka bllokuar Ligjin për ‘Branitellat’.

Deputetja Ilire Dauti pati paralajmëruar se nuk do ta vendosë në rend dite Ligjin për ‘Branitellat’ nëse luftëtarët e UÇK-së nuk trajtohen në mënyrë të njëjtë.

Çfarë përmban ligji?

Ligji i ‘Branitellave’ përcakton statusin dhe të drejtat për pjesëtarët e forcave të sigurisë maqedonase të cilat morën pjesë në konfliktin e armatosur në vitin 2001

Debati për këtë ligj është ngritur mbi atë se të drejtat që u takojnë ‘branitellave’ nuk u takojnë ushtarëve të UÇK-së.

Përveç interpelancës ndaj deputetes Dauti, sot në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut në rend dite janë edhe interpelancat për zëvendëskryeministrat Izet Meхhiti dhe Ivan Stoilkoviq, për ministrin e Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski dhe zëvendësin e tij Astrit Iseni.