Jo kush e mori Tetarin, por kush e dha atë
Besfort Idrizi
Në vend se të krijohet një tollovi me deklarata e premtime abstrakte me qëllim hutimin e opinionit dhe heshtjen e reagimeve, duhet të kërkohet përgjegjësi për shkelje të ligjit nga ana e palës që e ka dhënë patundshmërinë – ministri i financave, e jo nga ata që e kanë marrë atë.
Së pari, do doja ta bëj të qartë që jam pro denacionalizimit të pronave dhe kthimit të tyre nga ana e çdokujt, mirëpo, ky kthim i pronave, sigurisht që duhet të jetë konform ligjeve përkatëse, që është obligim sa qytetar e legal, po aq edhe islamik.
Sipas ligjit për denacionalizim, në pikën 4 të nenit 9, thuhet qartë se nëse patundshmëria e marrë shfrytëzohet për kryerjen e aktiviteteve me interes publik, të përcaktuara me ligj, atëherë gjatë denacionalizimit prona në fjalë nuk kthehet, por kompensohet. E sa i përket përcaktimit me ligj të aktiviteteve me interes publik, kjo mund të shihet që nga vet emri i teatrit (IN Teatri Shqiptar për Fëmijë – Shkup), ku në fillim qëndrojnë shkurtesat “IN” si akronim për “Institucion Nacional”. Që d.t.th. që interesi jo vetëm që është publik, por edhe nacional. Për këtë dëshmon edhe ligji për institucione publike ku në nenin 2, pikën 21 dhe nenin 3 thuhet që institucion është formë e organizimit që si aktivitet bazë ka kryerjen e shërbimeve publike. Që d.t.th. se edhe ligjërisht teatri është institucion me interes publik.
Tani sa i përket kthimit të patundshmërisë, në rast se në pronën përkatëse veçse funksionon institucion me interes publik, atëherë sipas nenit 32 të ligjit për denacionalizim ekzistojnë dy opsione. Njëra mundësi është të jepet tjetër patundshmëri të llojit të njëjtë që është në pronë të shtetit, ose si mundësi e dytë është të jepen aksione që janë, po ashtu, në pronë të shtetit. Me këtë e kuptojmë që nuk ekziston mundësia që të merret patundshmëria e një institucioni, por përkundrazi, mbrohet institucioni dhe zgjidhet modeli për ta kompensuar patundshmërinë në fjalë.
Pas gjithë kësaj, ku shihet se ligjet janë shumë të qarta, logjikisht parashtrohen pyetjet: Si ka mundur që BFI ta kthejë pronën e vet në kundërshtim me ligjin? Kush ia mundësoi këtë? Kush ia dha këtë patundshmëri? Këtu, në përpjekje për ta gjetur përgjigjen, përsëri mund të thirremi në të njejtin ligj për denacionalizim, ku në nenin 12 shkruan se ndaj një kërkese të tillë vendos Ministri për Financa.