Maqedoni

Jetojnë nën një kulm, por votojnë për komuna të ndryshme!

Po i lexojnë lajmet e reja nga gazetat.

Të tjerët po shohin televizion e po shijojnë kafenë.

Ky mëngjes nuk është fort i zakonshëm për banorët e shtëpisë së të moshuarve “Idila Terzieva”. Ata sot do të votojnë për të përzgjedhur udhëheqësit e komunave prej nga vijnë.

I kanë bërë gati dokumentet e identifikimit e po presin radhën.

Zonjës nuk po i kujtohet për të satën herë po voton, por thotë se nuk ka lënë asnjë palë zgjedhje pa votuar.

“Do të votojmë, jemi përcaktuar të gjithë se për kë. Kemi parë disa herë se kush çfarë na premton, ta shohim tani, zakonisht premtojnë më shumë, e shteti ynë është i varfër që t’i realizojnë të gjitha ato premtime, ne e dimë këtë. Unë jam rritur në Budapest të Hungarisë, nuk më kujtohet votimi i parë, por kam votuar në secilat zgjedhje me burrin tim të ndjerë, kemi qenë të rregullt dhe kemi votuar”, tha e moshuara.

I pyetëm edhe disa banorë të tjerë nëse janë paraqitur për të votuar.

“Nuk kam letërnjoftim”.

TV21: Po a do të donit të votoni?

“Po do të votoja, përse jo”.

“Tani do e shoh, a do të mundem apo jo”.

TV21: Po a doni të votoni?

“Po dua”.

TV21: Sa herë deri tani keni votuar?

“Nuk e di, kam 90 vjet”.

Të moshuarit morën instruksione se si duhet të votojnë e më pas kur gjithçka ishte gati, nisi procesi i votimit.Ndonëse jetojnë nën të njëjtin kulm, votojnë për komuna të ndryshme, ku kanë jetuar paraprakisht.

Nga gjithsej 66 banorët e kësaj shtëpie, për të votuar ishin paraqitur vetëm 24 të moshuar. Të tjerët kishin problem me dokumentet ose nuk kishin shprehur dëshirë për të dhënë votën.

“Në këtë institucion privat shëndetësor për të votuar janë paraqitur gjithsej 24 persona. Sa i përket personave të sëmurë apo të moshuar, ata votojnë një ditë para zgjedhjeve, domethënë këtu ngelet metoda e vjetër e votimit me sprej dhe llambë UV, duke respektuar protokollet shëndetësore”, u shpreh Brankica Jokovska – KKZ.

Përndryshe nëpër të gjitha shtëpitë e pleqve në mbarë vendin për të votuar janë paraqitur 351 persona./TV21