BallinaMaqedoni

Javën e kaluar janë regjistruar 139 raste me grip, kryesisht në Dibër

Në raportin e publikuar mëngjesin e sotëm, nga rastet e raportuara, 95 persona janë të moshës nga 15 deri në 64 vjeç, 24 janë fëmijë nga mosha 5 deri në 14 vjeç, ndërsa 12 janë nën moshën 4 vjeç dhe tetë të raportuar janë mbi 65 vjeç.

Më së shumti raste të gripit janë regjistruar në Dibër, 42 persona, 33 raste janë raportuar në Gostivar, 22 raste janë regjistruar në Kumanovë dhe 15 persona janë regjistruar në Tetovë.

Bashkëpunëtori i portalit Lideri.mk nga Dibra raporton se autoritetet spitalore në këtë qytet me sukses po përballen me fluksin e shtuar të infektuarëve me grip, por apelojnë tek qytetarët që të jenë sa më të kujdesshëm në parandalimin e përhapjes më të madhe të virusit.

Në pjesën tjetër të qyteteve të listuara në raport, numri i personave të raportuar të sëmurë me grip është 5 ose më pak.

Sipas IJZ-së, aktiviteti viral i gripit është sezonal dhe i ulët në Gostivar, ndërsa aktivitet mesatar i virusit është vërejtur në Dibër.

Krahasuar me këtë periudhë të vitit të kaluar, numri i të prekurve nga gripi është ulur me 10 për qind dhe është 799.

Sipas IJZ-së, nga kjo javë në Maqedoni me një vaksinë komerciale kundër gripit janë vaksinuar 72.125 persona./A.Velica