September 8, 2024
Maqedoni

Jakimovski: Kur ka zgjedhje stagnon ekonomia

Kur ka zgjedhje në vend stagnon ekonomia, e me atë edhe sektori i ndërtimtarisë, thonë nga Oda e Ndërtuesve në vend. Kryetari i Odës, Ivica Jakimovski, thotë se ky sektor vazhdimisht përballet me turbulenca të cilat shkaktohen nga faktorë të shumtë.

“Sipas praktikës në të kaluarën kur ishte periudhë zgjedhjesh në njëfarë mënyre pjesa ekonomike, pa marrë parasysh nëse bëhet fjalë për ndërtimin apo pjesën tjetër, vjen deri në një stagnim për shkak se ashtu funksionon edhe pse nuk do të duhej të ishte ashtu, por rrethanat tek ne janë të tilla dhe jemi mësuar.”, – deklaroi kryetari i Odës së Ndërtuesve, Ivica Jakimovski.

Jakimovski: Nuk pritet rritje e ndjeshme e çmimit të banesave

Shtrenjtimi i materialeve ndërtimore ka ndikuar në rritjen e çmimeve, por Jakimovski thotë se këtë vit nuk pritet rritje e ndjeshme e çmimeve.

“Presioni i shërbimeve dhe materialeve ndërtimore patjetër të vijë tek një balancë që të mos ketë presione të përnjëhershme. Këtu edhe ne si investitorë duhet të jemi të vetëdijshëm se në çfarë periudhe ndërtojmë, prandaj tërë kjo duhet të ketë balancë. Personalisht nuk pres rritje të mëdha të çmimit të banesave.”, – theksoi kryetari i Odës së Ndërtuesve, Ivica Jakimovski.

Jakimovski po ashtu thekson se nuk mund të pritet rënie e çmimeve pasi kërkesa për patundshmëri është më e madhe se sa oferta aktuale në treg.