Jakimovski kundër hapjes së Kushtetutës
Kandidati për president i koalicionit “Guximshëm për Maqedoninë”, Stevçe Jakimovski, thotë se nëse merr mbështetjen e qytetarëve për t’u bërë president i vendit do të angazhohet për pak më shumë respekt ndaj Maqedonisë dhe qytetarëve të saj, si nga NATO-ja, ashtu edhe nga BE-ja dhe partneri strategjik i vendit, ShBA-ja. Jakimovski po ashtu thekson se duhet t’i bëhet me dije BE-së dhe vendeve anëtare se Maqedonia është e gatshme të presë për anëtarësim deri në vitin 2030 dhe nëse deri atëherë nuk pranohemi, ai thotë se nuk duhet të presim më shumë para dyerve të BE-së.
“Dua të them qartë se “Guximshëm për Maqedoninë” është partia e vetme e cila thotë se nuk do të ketë hapje të Kushtetutës dhe përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë, derisa nuk mbyllet tërësisht çështja bullgare. Kjo do të thotë se hedhim poshtë çfarëdo bisedimesh për identitetin, përkatësisht se jemi komb i vitit 44. Refuzojmë çfarëdo bisedimesh për atë se gjuha jonë është dialekt bullgar dhe po ashtu për revolucionarët lëmë të bisedojnë ekipet profesionale historike. Ashtu siç do të dakordohen ato, çfarë dëshmish do të nxjerrin kjo është punë e tyre, nuk është çështje politike.”, – theksoi kandidati i “Guximshëm për Maqedoninë”, Stevçe Jakimovski.
Sipas tij, përveç kandidatëve shqiptarë për president edhe disa nga kandidatët e kampit maqedonas po dërgojnë sinjale se janë të gatshëm për hapjen e Kushtetutës rreth përfshirjes së bullgarëve. Po ashtu Jakimovski si problem të madh për vendin e thekson edhe çështjen e migrimit.