Rajon - Botë

Izraeli u bën thirrje qytetarëve të përgatiten për të qëndruar në strehimore për 72 orë

“Në dritën e zhvillimeve të luftimeve në fusha të ndryshme, duhet të përgatiten pajisje që ju mundësojnë juve dhe familjeve tuaja të qëndroni në zonën e mbrojtur deri në 72 orë”, tha Komanda e Frontit të Brendshëm
Zein Khalil |

Ushtria izraelite i ka bërë thirrje publikut që të përgatitet të qëndrojë në strehimore për 72 orë dhe të grumbullojë ujë dhe ushqim të mjaftueshëm, transmeton Anadolu.

“Në dritën e zhvillimeve të luftimeve në fusha të ndryshme, duhet të përgatiten pajisje që ju mundësojnë juve dhe familjeve tuaja të qëndroni në zonën e mbrojtur deri në 72 orë”, tha Komanda e Frontit të Brendshëm në një njoftim.

Në njoftim theksohet se furnizimet duhet të përfshijnë “tre litra ujë për person në ditë, një rezervë ushqimesh të thata dhe të konservuara, ndriçim ose elektrik dore me bateri, një radio me bateri dhe bateri portative për celularët”.

Lidershipi izraelit gjithashtu u bëri thirrje izraelitëve që të “vendosin gjithashtu në çantat e tyre ilaçe, ndihmën e parë, dokumentet personale, paratë dhe furnizimet e nevojshme për fëmijët dhe kafshët shtëpiake”.

Të shtunën, grupi i rezistencës ‘Hamas’ me bazë në Gaza nisi operacionin “Tufani i Aksasë” kundër Izraelit, duke lëshuar një breshëri raketash. Grupi tha se sulmi i befasishëm ishte në përgjigje të sulmit ndaj xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar dhe rritjes së dhunës së kolonëve.

Ushtria izraelit në hakmarrje nisi një operacion kundër grupit ‘Hamas’ në Rripin e Gazës.

Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza njoftoi se mes luftimeve të vazhdueshme numri i palestinezëve të vrarë nga forcat izraelite në Gaza është rritur në 560, ndërsa numri i personave të lënduar është rritur në 2.900.

Ndërkohë, sipas Ministrisë izraelite të Shëndetësisë, të paktën 800 izraelitë janë vrarë dhe mbi 2.300 të tjerë janë plagosur në luftime./AA