Rajon - Botë

Izraeli thotë se do të hapë rrugë të reja për lejimin e ndihmave në Gazë

Izraeli ka thënë të premten se do t’i hapë dy pika kufitare me Gazën, për ta mundësuar rritjen e hyrjes së ndihmave humanitare në enklavën e rrethuar palestineze.

Pikëkalimi Erez Gate në veri të Gazës do të rihapet përkohësisht për herë të parë prej se filloi lufta. Do të hapet edhe Porti i Ashdodit për të lejuar futjen e ndihmave humanitare.

Ndërsa, do të lejohet futja e më shumë ndihmave humanitare nga Jordania përmes pikëkalimit Kerem Shalom.

Gjatë një takimi të kabinetit të sigurisë të enjten vonë u miratuan hapat e menjëhershëm për rritjen e ndihmave humanitare për popullsinë civile në Rripin e Gazës, tha zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Vendimi i Qeverisë izraelite vjen pak orë pas një bisedime telefonike mes kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan, Joe Biden.
Gjatë bisedës me Netanyahun të enjten vonë, Biden kërkoi hapa “specifikë dhe konkretë” për ta zbutur krizën humanitare në Gazë, duke thënë se ndihma amerikane për Izraelin do të kushtëzohet nëse ky i fundit nuk përgjigjet.

Trysnia e lartë mbi Izraelin u bë pas vrasjes së shtatë punëtorëve të bamirësisë nga një sulm izraelit të hënën mbrëma, i cili nxiti zemërim global për krizën e vazhdueshme të dërgimit të ndihmave në enklavën e rrethuar palestineze.

Punëtorët e grupit të kuzhinierit të famshëm Jose Andres u vranë kur veturat e tyre u goditën pak pasi ishin shkarkuar 100 tonë ushqim të sjellë në Gazë përmes detit.

Ushtria izraelite shprehu “pikëllim të thellë” për incidentin dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e cilësoi sulmin si të paqëllimshëm.

Vende të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë filluar këtë muaj të dërgojnë ndihma humanitare edhe përmes detit në Gazën e rrënuar nga lufta.

Kombet e Bashkuara dhe partnerët kanë paralajmëruar se uria mund të prek pjesën e shkatërruar, të izoluar të veriut të Gazës gjatë këtij muaji.

Lufta në Gazë më 7 tetor kur Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – e sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë 1.200 civilë dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë.

Sulmet ajrore dhe tokësore izraelite kanë lënë të vrarë më shumë se 33.000 palestinezë, sipas autoriteteve lokale në Rripin e Gazës.

Luftimet kanë detyruar mbi 80 për qind të popullsisë së Gazës të zhvendoset dhe qindra mijëra janë buzë urisë, kanë thënë Kombet e Bashkuara dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmës.