Gjendja e sigurisë në Bregun Perëndimor është e tensionuar tash e disa muaj dhe tensionet u rritën edhe më shumë pas 7 tetorit, kur militantët e Hamasit në Gazë e thyen mbrojtjen kufitare dhe u futën në jug të Izraelit duke i vrarë më shumë se 1.400 njerëz dhe duke i rrëmbyer së paku 210 të tjerë. Sipas Ministrisë palestineze, 90 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor në dy javët e fundit. Ndërsa, që nga fillimi i këtij viti janë vrarë 286 palestinezë.

Ndërkohë, bombardimet izraelite në Rripin e rrethuar të Gazës kanë vazhduar pareshtur edhe mbrëmjen e së shtunës dhe mëngjesin e së dielës.

 

Në Khan Younis, në Gazën jugore, palestinezët kanë krijuar radhë të gjata jashtë një furre buke. Vendasit kanë raportuar orë pritjeje për të marrë bukë, pasi furrave të bukës u kanë mbaruar karburantet. Ndërsa Izraeli ka rënë dakord të dërgojë ndihma në Gazën jugore, ka refuzuar të sigurojë karburant pavarësisht paralajmërimeve se furnizimet me ushqime dhe në spitale janë të pakta.

Ushtria izraelite thekson se numri i personave të mbajtura peng në Gaza është 212. Dy shtetase amerikane të marra peng u liruan të premten në atë që Hamasi tha se ishte një gjest humanitar. Katari ndërmjetësoi bisedimet që çuan në lirimin e pengjeve amerikane, Judith Raanan dhe vajzës së saj Natalie Raanan. Grupi militant pretendoi se kishte ndërmend të lironte dy pengje të tjera për “arsye humanitare”, por Izraeli “refuzoi t’i pranonte ata”.

 

Naftali Bennett, ish-kryeministri i Izraelit, tha se kriza humanitare në Gaza nuk problemi i tyre. Izraeli kontrollon hapësirën ajrore mbi Gazën dhe bregdetin e saj dhe kontrollon rreptësisht lëvizjen e njerëzve dhe mallrave. “Bota mund të vijë dhe të ndihmojë ata, kjo nuk është puna jonë”, tha ai kur u pyet nëse Izraeli do të lejojë kalimin e ndihmave në Gaza.

Ai tha se veprimet humanitare duhet të jenë reciproke, duke përmendur pengjet që mbahen nga Hamasi. Bennett theksoi gjithashtu se lufta e Izraelit është me Hamasin dhe jo me popullin palestinez.