Izraeli bombardon një ndërtesë poliklinike në kampusin e spitalit Shifa në Gaza
Si pasojë e bombardimit të ushtrisë izraelite në një ndërtesë poliklinike në kampusin e spitalit Shifa në Gaza, raportohet se janë vrarë shumë palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë, transmeton Anadolu.
Në lajmet e agjencisë zyrtare palestineze WAFA thuhet se Izraeli pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare ka sulmuar spitalet në Rripin e Gazës, ku tashmë 35 ditë po kryen sulme intensive.
“Forcat pushtuese bombarduan me raketa dhe zjarr artilerie një ndërtesë poliklinike në kampusin e Spitalit Shifa. Shënjestrimi i personave të zhvendosur rezultoi në vdekjen dhe plagosjen e dhjetëra njerëzve, duke përfshirë gra dhe fëmijë”, thuhet në lajmin për sulmin në spitalin Shifa, objekti më i madh shëndetësor në Gaza ku ndodhen mijëra civilë të plagosur dhe të zhvendosur.
Thuhet se ushtria izraelite ka vënë në shënjestër një grup palestinezësh në hyrje të vendbanimit Huza në jug të Rripit të Gazës dhe shumë njerëz kanë humbur jetën.
Ushtria izraelite në mëngjes bombardoi rëndë zonën përreth spitalit Shifa me zjarr artilerie. Ministria palestineze e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se gjashtë persona vdiqën në sulm.
Gjithashtu njoftohet se Spitali i Fëmijëve An-Nasr në perëndim të qytetit të Gazës është jashtë funksionit si pasojë e bombardimit të portës së spitalit nga ushtria izraelite mëngjesin e sotëm.
Ushtria izraelite shënjestroi gjithashtu zonën përreth spitalit Al-Awde dhe spitalin në Jibaliye në veri të Rripit të Gazës dhe qëlloi një ambulancë.
Sulmet e avionëve luftarakë izraelitë në Spitalin e Fëmijëve Er-Rantisi shkaktuan gjithashtu një zjarr të madh në spital.