Izet Mexhiti, “i zjarrti” që ia rrëmbeu BDI-së Çairin! VLEN merr mbi 13,500 vota, Fronti Europian 11,032
Gjithçka nisi nga pakënaqësitë brenda Bashkimit Demokratik për Integrim.
Një grup integristësh, që më pas do të merrte emrin Grupi i Zjarrit, kishin kritika për punën e ministrave që vinin nga radhët e partisë së tyre. Ata që më zëshëm i artikulonin pakënaqësitë e tyre ishin Musa Xhaferi, Blerim Bexheti, Nevzat Bejta dhe Izet Mexhiti, shkruan TV21.
“Do votoj për këtë qeveri me vërejtjet personale që kam ndaj një pjese të ekzekutivit. Është debat i brendshëm brenda Bashkimit Demokratik për Integrim”, theksoi Izet Mexhiti (25/08/2020).
Pas disa muajsh debatesh brendapartiake, mospajtimesh e akuzash në distancë, rrugët e “grupit të zjarrit” u ndanë. Xhaferi, Bexheti e Bejta mbetën në BDI, ndërsa i vetmi që e vazhdoi rrugën vet, me disa bashkëpartiakë të tjerë, ishte Mexhiti, i cili formoi partinë Lëvizja Demokratike.
“Ne vendosëm që të mos shkojmë në shtëpi por të bëjmë lëvizjen e re politike, lëvizjen e re demokratike, duke u bërë apel të gjithë intelektualëve, të gjithë atyre që duan të kontribuojnë, të gjithë atyre që e kërkojnë votën dhe duan të jenë shërbëtor i qytetarit, në interesin qytetar, derën hapur do ta kenë në lëvizjen e re demokratike”, theksoi Izet Mexhiti 18.07.2023.
Pas kësaj, erdhën sinjalet e para për bashkëpunim opozitar. Deklarata se kanë komunikim vinin si nga Lëvizja Besa po ashtu edhe nga Alternativa. Më pas këto formuan të ashtuquajturin Koalicioni LEN, Lidhja Europiane për Ndryshim, e cila u riemërua në VLEN kur këtu erdhi edhe Taravari me disa bashkëpartiakë të ASH-së, e cila po ashtu u nda në dysh. Kështu edhe i hynë garës në këto zgjedhje parlamentare, dhe me këtë përbërje arritën ta rrëmbejnë Çairin, një prej bastioneve të BDI-së ndër vite!
Çairi ndahet mes zonës zgjedhore 1 dhe 2. Në të dyja, Koalicioni VLEN ka marrë më shumë vota se Fronti Europian.
Në Çairin që i përket njësisë zgjedhore 1, ku listës i ka prirë Izet Mexhiti, VLEN ka marrë 8.563 vota, ndërsa Fronti Euorpian, listës të së cilës i ka prirë ish-pjesëtari i grupit të zjarrit Blerim Bexheti, ka marrë 6.160 vota, pra 2403 vota më pak.
Në Çairin që e kap zona zgjedhore 2, lista e VLEN e prirë nga Afrim Gashi, ka marrë 5.007 vota, ndërsa Fronti Euorpian, listës që i priu Sadulla Durkau, ka marrë 4.872 vota, pra 135 më pak.
Duhet cekur se Çairi edhe si Komunë gjithnjë është drejtuar nga BDI, deri sa nga kjo parti u shkëput Mexhiti, e pas tij shkoi edhe kryetari aktual i Çairit Visar Ganiu. Ndër figurat më të njohura që vijnë nga kjo degë janë Artan Grubi, që deri para qeverisë teknike mbante postin e zëvendëskryeministrit të parë dhe Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së dhe ministër i punëve të jashtme.