Maqedoni

ISHP, prej 1 deri më 7 mars 50 të prekur nga kolla e madhe

Prej nji deri më 7 mars, janë regjistruar 50 raste të reja me kollën e madhe. Shumica e këtyre rasteve janë regjistruar në Shkup, 43 raste, ndërsa rastet tjera u raportuan në Tetovë, Koçani, Kavadar, Kumanova dhe Manastir, bëjnë të ditur nga Instituti i Shëndetit Publik. Nga 50 rastet e regjistruara javën e pare të marsit, 5 persona janë shtruar në spital, duke përfshirë katër fëmijë nën një vjeç dhe një tjetër në grupmoshën nji deri në 4 vjeç. Mosha e përgjithshme e të sëmurëve shkon deri në 40 vjeç, por numri më i madh i rasteve është tek fëmijët në grupmoshën 10-14 vjeç. Poashtu deri në 7 mars, numri i përgjithshëm i rasteve të regjistruara të kollës së madhe në vend është 173 persona, me një incidencë prej 9.4 për 100 mijë banorë. Prej tyre 102 apo 58% nuk kanë qenë të vaksinuar, apo nuk kanë qenë të vaksinuar plotësisht. Nga Instituti i shëndetit publik theksojnë se, 33 persona janë hospitalizuar.

Ndërkohë të hënën nisin inspektimet në çerdhe për të zbatuar vendimin e mos pranimit të fëmijëve të pa imunizuar ose që nuk janë të imunizuar plotësisht me DTP, bëjnë të ditur nga Inspektoriati Shëndetësorë. Autoritetet shëndetësore vazhdojnë të përsërisin apelin deri te prindët për vaksinimin e fëmijëve.

“Sipas rekomandimeve nga Komisioni për Sëmindje Infektive dhe Instituti i shëndetit publik, në periudhën prej 18 janarit deri më tani, të gjitha punktet e vaksinimit në vend, në bashkëpunim me shërbimet epidemiologjike nga Qendra e shëndetit publik, bëjnë kontrolle intensive të personave të pa evidentuar, të pa vaksinuar, apo të pa vaksinaur plotësisht, si dhe personave që i nënshtrohen vaksinimit të rregillt, me qëllim thirrjen e tyre dhe vaksinimin, në përputhje me kalendarin nacional për imunizim”, theksojnë nga Instituti i Shëndetit Publik.

Sipas të dhënave të shtëpisë së shëndetit në Shkup, nga shërbimet e vaksinimit në komunat, Gazibabë, Çair, Kisella Vodë dhe Qendër, janë gjetur 13 mijë e 593 fëmijë që kanë lëshuar afatin e vaksinimit.