Ish ushtarët e UÇK-së, pa mbështetje institucionale
Derisa LSDM, por edhe partitë tjera maqedonase po kërkojnë mënyra të ndryshme për të çuar përpara statusin edhe ashtu të zgjidhur të Branitellave, çështja e pjesëtarëve të palës tjetër të konfliktit, gjegjësisht ushtarëve të UÇK-së tanimë 23 vite nuk ka gjetur zgjidhje institucionale. Partitë shqiptare, pajtohen që miratimi i ligjit të ri për Branitellat të miratohet me një ligj për pjesëtarët e UÇK-së. Por, historia tregon se megjithatë, një ligj i tillë nuk ka gjetur mbështetje asnjëherë te faktori politik maqedonas.
BDI, partia e cila 20 vite ishte në pushtet me thuajse të gjitha partitë e bllokut maqedonas, pavarësisht rrahjes së gjoksit se është parti e dalë nga lufta, nuk arriti të sigurojë të drejta ligjore për ish ushtarët e UÇK-së dhe familjarët e tyre.
Ligji i parë për Branitellat u miratua një vit pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, i cili më pas është ndryshuar në vitin 2003 dhe 2004. Ligji, ka përfshirë gjashtë grupe, megjithatë këtu nuk kanë bërë pjesë edhe pjesëtarët e ish UÇK-së. Ligji, parashikonte një sërë të drejtash, duke përfshirë shërbime shëndetësore falas, punësim, strehim banesor, ndihmë financiare, shkollim dhe pension familjar.
Prej atëherë, deri më sot ka pasur tentativa të vazhdueshme që të avancohet apo zgjerohen të drejtat për ish pjesëtarët e forcave të sigurisë. Tentativa të tilla kishte në vitet 2008, 2010, 2012 dhe në vazhdimësi deri në ditët e sotme, si në kohën kur me pushtetin ka udhëhequr VMRO-DPMNE, ashtu edhe LSDM.
Në ndërkohë, faktori politik shqiptar kujdesin e mundshëm ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së e ka bërë jashtë institucioneve dhe pa ligj përkatës. Në vitin 2010 në Kuvend u propozua “Ligj për pjesëtarët e UÇK-së”, i cili u dorëzua nga deputetët e partive opozitare Abedin Zymberi dhe Daut Rexhepi. Ligji bazohej në ligjin për Branitellat, gjegjësisht të drejtat e tyre t’i kenë edhe pjesëtarët e UÇK-së, por i njëjti nuk u miratua.
BDI, ndër vite në mënyrë deklarative ka theksuar angazhimin për veprimtarinë e UÇK-së megjithatë, nuk arriti të bindë asnjë prej partnerëve qeveritar që të mbështesë një zgjidhje ligjore. Derisa për Branitellat janë zbatuar të drejtat e garantuara me ligj të posaçëm, ndër vite, për ish ushtarët e UÇK-së, janë rekomanduar vetëm programe riosocializimi, trajnime dhe rehabilitime, por edhe përfshirje në programe për mbështetje psikosociale.
2001 Ndryshimet kushtetuese për Marrëveshjen e Ohrit
2003 Miratim i amendamentit XIX, i cili parashikon heqjen e paprekshmërisë së sekretit për të gjitha format e komunikimit
2005 U miratuan amendamentet për ndryshim të organizimit të sistemit gjyqësor, zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve publikë. Ministrave i është hequr imuniteti, ndërsa i ruhet imuniteti vetëm kryetarit të Qeverisë
2009 U miratua amendamenti XXXI i Kushtetutës, i cili vendosi regjistrimin e popullsisë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës në raundin e dytë zgjedhor
2011 U miratua Amendamenti XXXI i cili pamundëson privimin e shtetësisë apo përjashtimin e tij nga shteti.
2019 U miratuan ndryshimet kushtetuese për Marrëveshjen e Prespës, gjegjësisht ndryshimin e emrit të shtetit
Në ndërkohë, BDI që sot është e zëshme për mbrojtjen e çështjeve shqiptare, për 20 vite në pushtet nuk arriti që t’i theksojë shqiptarët në Kushtetutë si element shtetformues.
Prej miratimit të ndryshimeve kushtetuese nga Marrëveshja e Ohrit, edhe pesë herë të tjera është hapur kushtetuta për çështje të ndryshme, megjithatë BDI, nuk e ka ndryshuar formulimin i cili u referohet shqiptarëve me popullatë 20% apo gjuhës shqipe me gjuhë që e flasin 20% të qytetarëve.