Opinion

Ish deputetja serbe drejton gishtin: Ja kush i vrau vëllezërit Bytyqi!(Foto)

Shkruan: Danica Drashkoviq

Nuk ka kaluar shumë kohë nga zëvendësimi i kryetarit të Gjykatës së Lartë në Beograd, dhe tashmë në burgun “Zabeli” ka nisur greva e urisë së “Legia”-s me kërkesën për t’iu lejuar takime dashurie dhe transferim në një burg më të lehtë. Deri tani ka pasur disa veprime të ngjashme, por nuk ia ka dalë, dhe tani, ndoshta me të drejtë, shpreson te kryetari i ri i Gjykatës së Lartë.

Në ndërkohë nga Kina është kthyer majori Fiça (Dragan Filipoviq) e gjithashtu edhe shërbimi (BIA) po i bën planet për të mbrojtur vrasësit e tjerë ngjashëm si GRU (në Rusi). Nga vilat luksoze në “Deliblatska Peshqara” dhe në “Frushka Gora”, ai komandon me strategji. Kështu, të gjithë të akuzuarit për vrasjen e gazetarit Slavko Çuruvija u liruan pa vendim.

Aktgjykimi është lirues dhe pritet të shpallet në një moment i përshtatshëm. Gjithashtu është ndërprerë plotësisht edhe hetimi për vrasjen e nxënësve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë në vitin 1998.

Prandaj, jo rastësisht, tani terroristi shtetëror dhe vrasësi serial, kolonel i UDB-së dhe komandanti i Beretave të Kuqe, “Legia”, është sërish tema e të gjitha mediave shtetërore dhe atyre të UDB-ës.

Përmes faqeve të para të gazetave ai kërkon të transferohet në një burg më të lehtë dhe të ketë fëmijë me gruan e tij përmbi grumbullit të kufomave që la pas. Tabloidët e bëjnë hero, heroin e orgjisë vrastare serbe në luftërat e viteve nëntëdhjeta, të cilën, siç duket, me kënaqësi do ta përsërisnin bashkë me të.

Për ata që kanë lindur pas luftërave le të kujtojmë për të gjithë ata që kanë harruar pse ky përbindësh është në burg.

Ai vrau vëllain tim dhe tre të rinj të tjerë në autostradën e Ibrit dhe për këtë u dënua me 40 vjet burg.

Ai vrau Ivan Stamboliqin, ish-presidentin e Serbisë dhe u dënua me 40 vjet burg.

Ai vrau kryeministrin e Serbisë, Zoran Gjingjiq dhe u dënua me 40 vjet burg.

Ai vrau 17 persona me klanin “Zemun” dhe organizoi katër rrëmbime dhe dy sulme terroriste, i dënuar me 40 vjet të tjera burg.

Gjithsej 160 vjet.

Dhe për fat të keq, ai nuk u dënua asnjëherë për shumë krime më të tmerrshme që ndodhën derisa ishte pjesë e UDB-së serbe.

Për vrasjen e gjyqtarit Nebojsha Simeunoviq.

Për vrasjen e 68 anëtarëve të familjes Jashari në Kosovë, në Drenicë.

Për terror ndaj shqiptarëve, grabitje, dëbime nga shtëpitë.

Ai nuk u dënua për vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë, për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, shtetas amerikanë, për frigoriferët me kufomat e shqiptarëve të vrarë që i transferuan në Serbi dhe i zhytën në liqene për të fshehur krimet, për bartjen e kufomave të shqiptarëve të vrarë dhe varrimin e tyre në poligonin policor në Batajnicë, për vrasjen dhe plaçkitjen e qytetarëve dhe bankave në Kroaci, Bosnje së bashku me Tigrat e Zhelko Razhnatoviqit dhe kushedi sa krime të tjera në gjithë ish-Jugosllavinë.

Duhet të pyesim veten se sa komb i sëmurë jemi kur në gazetat shkruhet për një vrasës të tillë serial dhe diskutohet për të drejtën e tij të ketë vizita dashurie apo edhe të drejta tjera të cilat asnjëherë nuk iu mohuan, por përkundrazi ai i gëzonte edhe në mënyrë të paligjshme, pavarësisht rregullave që vlejnë për të burgosurit e tjerë. Madje në atë burg pa të drejtat e njeriut ka botuar 22 libra.

Dhe kujt duhet t’i drejtohen fëmijët dhe familjet e shumta të njerëzve që ai vrau? Si të mbrohen të drejtat tepër të rrezikuara të atyre fëmijëve që rriten dhe jetojnë pa prindër, pa punë dhe pas asnjë përkujdesje nga shteti që i bëri jetimë, për të drejtat e rrezikuara të grave të tyre, të vejave, për të cilat askush nuk kujdeset. Ato familje si viktima të terrorizmit shtetëror janë edhe sot të izoluara sepse janë dëshmitarë të padëshiruar të krimeve të tmerrshme të shtetit.

Le të imagjinojmë nëse në ndonjë vend të botës së qytetëruar sot një vrasës dhe terrorist i tillë do të ishte subjekt i emisioneve televizive dhe tabloideve. Sigurisht që jo, do të merrte një dënim të përjetshëm dhe do të ishte në burgun më të rreptë, i harruar nga të gjithë si turpi i kombit.

Përkundrazi, ajo që është turp për popujt dhe shtetet e qytetëruara, në Serbi, tokën e UDB-së dhe traditës së krimit, është krenari.

Lartësohen kriminelët e luftës të dënuar në Hagë, terroristët shtetërorë, vrasësit dhe kriminelët. / Askush nuk i vajton dhe nuk i përmend viktimat, pasi që vrasja kuptohet si një veprimtari dhe politikë e përhershme e miratuar shtetërore.

Udbashët dhe avokatët e UDB-së shëtisin çdo ditë dhe mbrëmje në frekuencat kombëtare dhe lavdërojnë ata që janë dënuar nga e gjithë bota, nxisin urrejtje dhe bëjnë thirrje për konflikte me fqinjët e tyre për të përsëritur të keqen pa të cilën ata nuk mund të jetojnë sepse i tillë është kodi i tyre gjenetik.

Sot, “Legia” dhe beretat e tij gjakatare nevojiten sërish për fushata të reja luftarake të paralajmëruara dhe nga kjo rrjedh historia për të, për të drejtat e tij në burg dhe hallet e tij të dashurisë, për të mbuluar sekretin publik se ai ka dy vjet që është i lirë, thonë disa udbashë, i liruar për të përgatitur beteja të reja në Kosovë.

Për vrasjet e reja duhet një njeri që vrau një president, një kryeministër dhe qindra njerëz, një njeri që lehtësisht dhe me mjeshtëri mund t’i përsëriste të gjitha këto sipas nevojës së UDB-së dhe strategjisë së saj për të mbretëruar me frikë, vrasje dhe me grumbullimin e fatkeqësisë për vite e dekada të ardhshme në këtë vend të kapur.

Kur strategjia shtetërore i rikthehet të nëntëdhjetave të tmerrshme, “Legia” imponohet si një hero dhe patriot, jo si një terrorist shtetëror dhe vrasës mizor. Sikur UDB-ja serbo-ruse të mos kishte nevojë për “Legia”-n dhe duart dhe veprat e tij të përgjakura, nuk do të kishte diskutime të përditshme të dashamirëve të UDB-së për të drejtat e njeriut të vrasësve të shtetit.


(Autorja është ish deputete në Kuvendin e Serbisë, bashkëshortja e Vuk Deahskoviqit dhe motra e Veselin Boshkoviqit, një prej të vrarëve në atentatin në autostradën e Ibrit në vitin 1999.

Shkrimi origjinal është botuar në “Danas” me titull “Mendimi personal i Danica Drashkoviqit: “Legia” është zemra e Serbisë” dhe është përkthyer nga Klankosova.tv)