Investimet e huaja numërohen në gishta
Maqedonia e Veriut nuk po arrin të kalojë pragun vjetor të investimeve të huaja prej 1 miliard eurove. Në bazë të të dhënave të Bankës Popullore, shteti ka pranuar 616.7 milionë euro në formë të investimeve të huaja, më 2023. Kjo shifër është e përafërt me investimet e huaja në Kosovë, Malin e Zi dhe Bosnje – Hercegovinë. Serbia, e cila nuk është anëtare e NATO-s, gjatë vitit 2023 ka arritur të tërheqë 4,5 miliardë euro në formë të investimeve të huaja. Në mesin e vendeve fqinje, që janë pjesë e Bashkimit Evropian ose NATO-s, që tejkalojnë pragun e 1 miliard eurove në vit janë: Kroacia, Sllovenia, Shqipëria, Bullgaria.
Drejtori i Zonave Zhvillimore Industriale Teknologjike, Jovan Despotovski, tha se drejtoria që përfaqëson kompanitë e huaja, ka nënshkruar kontrata për investim në vlerë prej 450 milionë eurove, më 2023.
“Ta themi gjithsej investimet e huaja për vitin 2021, 2022 dhe 2023 janë shumë afër 2 miliardë euro, që është mirë dhe mund të them se pjesërisht kjo i atribuohet periudhës pas anëtarësimit në NATO. Për këtë vit jemi të rezervuar në promovimin e investimeve shkaku i fushatës zgjedhore. Në fillim vit prezantuam investimin e ri të kompanisë australiane ‘NAPTA’ që ka zgjuar interesim të veprimtarisë biznesore dhe deri më tani ka të angazhuar 40 të rinj me pagat 50% më të larta se paga mesatare në vend”, tha Jovan Despotovski, Drejtor i TIRZ.
Gjatë javës që lamë pas, TIRZ si përfaqësuese e Qeverisë, e ka ndërprerë edhe marrëveshjen me kompaninë gjermane NEXT.E.GO MOBILE SE, për ndërtimin e fabrikës së veturave elektrike në Tetovë.
Paraprakisht, ky projekt është paralajmëruar me shumë bujë nga zyrtarët shtetërorë, të cilët patën përmendur hapjen e 4.000 vendeve të reja të punës.
Investimet e huaja të dështuara
“Fabrika e makinave elektrike E-GO në Tetovë
Hidrocentrali Çebren nga kompania greke Arhirodon
Projekti për kompleksin te Liqeni Treska në Shkup
Investimi nga kompania jug koreane “Almak”
Kompania amerikane “Dura Automotive Systems”
Në fillim të këtij viti është ndërprerë edhe marrëveshja me kompaninë greke Arhirodon, për ndërtimin e hidrocentralit Çebren, pasi është thënë se kompania nuk ka arritur t’i sigurojë mjetet për realizim të projektit, si dhe rivitalizmi i kompleksit të Liqenit Treska, po në Shkup, përmes investitorëve turq. Njëjtë, premtim ka mbetur edhe paralajmërimi i vitit 2021, për një investim në vlerë të 30 milionë eurosh nga kompania jug koreane “Almak” dhe kompania amerikane “Dura Automotive Systems” për ndërtimin e një objekti për prodhimin e profileve të lehta për industrinë e automobilave ku duhej të punësoheshin 70 punëtorë me paga rreth 2.000 euro.
Kompanitë që kanë investuar tashmë janë të industrisë automobilistike, bujqësisë, energjetikës, asaj për prodhim të ushqimit, telekomunikacionit, shërbimeve të teknologjisë informative. Së fundi, sipas Këshillit për Investime të huaja, i cili përbëhet nga 130 kompani prej 20 vendeve të huaja si investitorë ekzistues në Maqedoninë e Veriut shumica janë deklaruar se nuk janë të gatshëm të ri investojnë sërish në vend./Alsat.mk