Lajmet e reja

Inspektim i jashtëzakonshëm në Spitalin e Tetovës! Janë marrë masa, s’ka më hyrje dalje, por s’ka qasje as për mediat

Inspektorati i ministrisë së Shëndetësisë ka kryer kontroll të jashtëzakonshëm në spitalin klinik të Tetovës, për të parë nëse ende për pacientët kujdesen familjarët e tyre. Të kontaktuar nga TV21 nga inspektorati na thanë shkurtë se akoma nuk kanë përfunduar procedurat hetimore.

“Inspektorati sanitar gjatë ditës së djeshme ka kryer kontroll të jashtëzakonshëm në spitalin klinik të Tetovës. Detaje do të japim pas përfundimit të të njëjtës”, thonë nga Inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë.

Disa qytetarë që takuam thonë se tani nuk lejohen të hyjnë brenda.

“Ma herët nuk kam qenë unë këtu. Erdha ti sjell ushqim, e kam një nip këtu. Mua nuk më lanë të hy”.

TV21: A ka familjar të tjerë?

“Jo jo nuk ka i pyeta nuk. Vetëm i solla ushqim dhe aq”.

“Po ka qenë i sëmurë, e kemi ruajtur edhe jemi kujdesur edhe për atë, po më shumë jashtë se nuk na linin shumë brenda. 11 dite jemi kujdes”.

Por nga spitali i Tetovës janë izoluar në tërësi. Ata nga dita e shtunë nuk duan më të japin informacione.

“Nga spitali Tetovës refuzojnë të japin informacion se si është gjendja e pacientëve me Covid 19. Kërkuam edhe informacion pas aksionit që ka pasur inspektorati i ministrisë së Shëndetësisë për largimin e familjarëve nga ky spital, por nuk arritëm që gjatë ditës së sotme të kontaktojmë me koordinatorin e covid qendrës”, raporton gazetari i TV21 Senat Zylbehari.

Se sa infermiere janë për momentin askush nuk dëshiron nuk jep informata. Qytetarët gjatë ditës së djeshme thanë se janë të shqetësuar për të afërmit e tyre . Jozyrtarisht mësuam se 2 nga 12 pacientët që i shpëtuan zjarrit me 8 shtator, tashmë janë lëshuar në shtëpi.