Iniciativa “Më Mirë Për Tetovën” me listë të këshilltarëve komunal
Iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën”, sot ka njoftuar se do të jetë pjesë e garës në zgjedhjet lokale në vend, raporton Nistori.
Me poshte mund ta lexoni te plote njoftimin e kesaj nisme per te garuar ne Tetove.
Ne jemi një grup qytetarësh që e duam më të mirën për Tetovën prandaj jemi bërë bashkë, të detyruar të aktivizohemi për shkak të degradimit të situatës në të cilën gjendet komuna jonë. Ne jemi aktivistë nga shoqëria civile të bashkuar edhe me profesionistë të fushave të ndryshme dhe kemi vendosur që organizimit dhe aktivitetit tonë për Tetovë më të mirë jashtë institucioneve, t’i shtojmë fushën e veprimit edhe brenda tyre.
Komuna është institucioni ku merr kuptim dhe kahje zhvillimi i qytetit tonë. Institucionet komunale kanë ndikim thelbësor në jetën tonë sepse përcaktojnë dhe duhet ta garantojnë mirëqenien.
Iniciativa #MëMirëPërTetovën është e pavarur nga partitë politike. Ne do të hyjmë në garë zgjedhore për Këshillin komunal me listë të këshilltarëve të pavarur. Në këtë formë do të punojmë bashkë duke qenë zëri i qytetarëve, të cilët kanë qenë të përjashtuar nga vendimmarrja. Do të angazhohemi çdo ditë që t’i mbajmë përgjegjës të zgjedhurit në krye të komunës duke ju kerkuar llogaridhënie dhe transparencë.
Iniciativa #MëMirëPërTetovën është ftesa jonë ndaj të gjithë qytetarëve që të bëhemi bashkë për të mirën e përgjithshme. Të bëhemi bashkë – më mirë për Tetovën.