Inflacioni në Maqedoninë e Veriut shkon në 10.9%! Kur pritet të stabilizohen çmimet?
Inflacioni mesatar në periudhën janar-korrik të këtij viti është 10.9 për qind, për të cilin peshën më të madhe prej tre muajve e zë rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, përcjell TV21. Banka Popullore sqaron se dinamika e inflacionit është ende kryesisht reflektim i faktorëve nga ana e ofertës, pra rritja e çmimeve të importit të ushqimeve dhe energjisë elektrike, duke përfshirë edhe çmimin e brendshëm të energjisë elektrike, që ndikohet nga zhvillimet në tregun botëror të energjisë.
Megjithatë, duke pasur parasysh natyrën afatgjatë të këtyre tendencave, presione të tilla përhapen shpejt në çmimet e produkteve dhe shërbimeve të tjera dhe nxisin më tej pritjet për inflacion, gjë që tregon nevojën për kujdes në politikat e brendshme.
Por, ndryshimi mujor i çmimeve të konsumit tregon një ngadalësim të caktuar, dhe një pjesë e madhe e rritjes mujore i detyrohet edhe vendimit të miratuar për ndryshime në çmimin e rregulluar të energjisë elektrike.
Në të njëjtën kohë, dinamika vjetore e inflacionit bazë ka mbetur e qëndrueshme. Gjithashtu, të dhënat dhe pritjet më të fundit në tregjet botërore tregojnë për një lehtësim gradual të presioneve të çmimeve, pra pritjet për çmimet e ushqimeve janë rikthyer në rënie, ndërkohë që çmimet e naftës pritet të stabilizohen në fund të vitit 2022 dhe më pas të ulen.
Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, kostoja e jetesës në korrik të këtij viti në krahasim me korrikun e vitit të kaluar është rritur për 16 për qind, ndërsa çmimet me pakicë kanë shënuar rritje prej 14 për qind.
Krahasuar me qershorin e këtij viti, kostoja e jetesës është rritur me 1.9%, dhe çmimet e shitjes me pakicë me 2.5%./tv21.tv