Maqedoni

Incidenti në Haraçinë/ Policia në kërkim të autorit që plagosi dy persona!

MPB-ja është në kërkim të sulmuesit që plagosi dy persona në Haraçinë të Shkupit.

Inspektimi i punëve ndërtimore në Haraçinë për pak të kishte epilog fatal për kreun e Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi.

Me pushkë automatike ishte shtënë në drejtim të tij por fatmirësisht ai ka kaluar pa lëndime. Në këtë incident të armatosur plagosen dy persona tjerë.

Vozitësi i Kryetarit të Komunës ishte transferuar menjëherë në urgjencë me plagë në krahëror dhe ndaj tij ishte kryer intervenimi kirurgjik. 21 vjecari Advan Ajdini nuk ka rrezik për jetën – njoftuan nga Klinika.

Prokurori kujdestar publik i PTHP – Shkup, ka bërë ekspertizë në vendngjarje dhe ka dhënë urdhër për grumbullimin e gjurmëve dhe për kryerjen e ekspertizave përkatëse. Gjithashtu do të kontrollohen edhe kamerat e sigurisë.

Derisa po zbardhen motivet e sulmit, Bashkësia e Njësive të Vetadministrimit Lokal ka bërë thirrje që institucionet kompetente t`i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e rastit.

“Bëhet fjalë për praktikë të dhunshme të shprehjes së pakënaqësisë nga puna e Kryetarit të Komunës. Nuk është hera e parë që në vendin tonë të cënohet jeta e Kryebashkiakut gjatë kryerjes së obligimeve të punës. Kërkojmë që institucionet kompetente t`i ndërmarrin të gjitha masat për zbardhjen e rastit, me qëllim që raste të këtilla kurrë të mos përsëriten” thonë nga BNJVL.

Arsyet e sulmit të armatosur për momentin mbeten të paqarta, por supozohet se bëhet fjalë për një kontest të mëhershëm pronësor.

Para dhjetë muajve Kryetari i Komunës së Haraçinës kishte denoncuar kërcënime nga një bashkëfshatar, pas cka policia kishte arrestuar një 69 vjecar.

Pas këtyre kërcënimeve, Komuna e Haraçinës, gjatë majit të vitit të kaluar “mbylli” objektin komunal dhe administratën për shkaqe sigurise.

Sipas njoftimeve, Kryebashkiaku Ibraimi ishte kërcënuar edhe para dy muajve dhe rastin e ka denoncuar në polici. /tvklan.mk/