Importi i zvogëluar i rrymës, Bislimovski: Mund të ndikojë në uljen e çmimit
Zvogëlimi i importit të energjisë elektrike për 30% dhe rritja e prodhimit të termocentraleve fotovoltaike për 300 % së shpejti mund të ulë çmimet e saj për amvisëri, paralajmëron kryetar i Komisionit Rregullator për Energjetikë, Marko Bislimovski. Ai në një intervistë për “Radio Europa e Lirë” thotë se aktualisht po punohet për plotësimin e tarifës së lirë të energjisë elektrike për amvisëri edhe për një orë tjetër. Bislimoski tha se tani duhet bërë një analizë reale për të treguar nëse ekziston mundësia që kjo tarifë e energjisë elektrike të zgjatet edhe për një orë, pra deri në orën 16.00.
“Po bëjmë këtë analizë që do të na tregojë nëse ka nevojë dhe mundësi për të futur edhe një orë energji shtesë të lirë që do të zgjaste nga ora 15 deri në 16:00 me të vetmin qëllim që të dërgojmë një sinjal tek EVN HOME, furnizuesi universal, dhe ESM, në ato periudha kur çmimi i rrymës është më i lirë duhet të blihet nga bursa, në mënyrë që çmimi i rrymës në atë periudhë të jetë në favor të qytetarëve.”, thotë Bislimovski për “Radio Evropa e Lirë”.
Bislimovski shton se në periudhën e ardhshme pritet që një numër i madh i investimeve në sektorin energjetik të vijnë në RMV dhe për këtë arsye duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje kësaj dege në periudhën e ardhshme. Sipas tij, RMV duhet të ketë një ministri që do të jetë në krye të energjetikës. Aktualisht tarifa më e lirë e energjisë elektrike është nga ora 13:00 deri në orën 15:00. Komisioni rregullator do të miratojë çmimin e ri të energjisë elektrike në fund të qershorit dhe më pas do të dihet nëse dhe sa do të ulet çmimi i energjisë elektrike.