Ilire Dauti: Bëni kujdes kë e votoni, rezultati i 24 majit do të përcaktojë fituesin më 8 maj
Deputetja e ASH-së e cila është pjesë e “Frontit evropian” Ilire Dauti, sot në një tubim në Strimnicë, iu ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes për kë votojnë.
Ajo tha se partitë nacionaliste maqedonase tentojnë të kontrollojnë partitë shqiptare, duke shtuar se këtë e ka parë në Kuvend. Ilire Dauti tha se çdo herë ka pasur të drejtë kur u ka bërë thirrje qytetarëve të kenë kujdes për votën e tyre.
“Rrezultati i 24 prillit do të përcaktojë edhe fituesin e 8 majit, prandaj bëni kujdes. Në kohën që kam qenë deputete, këtë e kam shfrytëzuar për të ndjekur sjelljen e eksponentëve politik në raport me çështjen që janë preokupim për të gjithë ne. Pa dyshim në këtë vëzhgim mbetet shqetësuese tentativa e partive nacionaliste maqedonase për të kontrolluar partitë politike shqiptare. Kjo është e dukshme në Kuvend, por shihet edhe në format tjera”.
“Një thënie në menaxhment thotë: nëse nuk mund të fitosh në mënyrë të ndershme, fito në mënyrë të ndyrë. Besoj se partitë maqedonase janë duke e bërë këtë. Prandaj iu bëj thirrje të keni kujdes për kë votoni dhe çdo herë kur kam bërë thirrje kam pasur të drejtë”, tha mes tjerash Ilire Dauti.
Ndryshe, “Fronti evropian” sot në kuadër të fushatës presidenciale ka realizuar takime me banorët në disa fshatra të Zhelinës.