Maqedoni

Idrizovë, prindërit dhe nxënësit në protesta

Prindërit dhe fëmijët e Idrizovës nga e marta do të nisin protesta të vazhdueshme përmes të cilave do të kërkojnë hapjen e paraleles shqipe për klasën e gjashtë në shkollën fillore “Njegosh” në Jurumleri të Komunës Gazi Babë në Shkup. Këshilli i Prindërve tha se nuk heq dorë nga zgjidhja e problemit pavarësisht humbjeve që do të pësojnë nxënësit. Prindërit kujtojnë institucionet përkatëse se zgjidhja është e patjetërsueshme sikurse u veprua me rastin në Vizbeg, Veles dhe Bllacë.

Zgjidhja për çdo herë, përgjithmonë është hapja e paraleles shqipe në Njegosh. Mund të na bëjnë edhe neve zgjidhje, madje zgjidhja jonë është më e lehtë se të tjerat. S’kërkojmë shkollë, s’kërkojmë shpenzim, s’kërkojmë para për objekte por kërkojmë që në atë shkollë, të cilën e kemi 1.5 kilometër, ku ka vend jo 100 % por një milion për qind sepse shkolla fillore “Njegosh” është e mbyllur në ndërrimin e dytë dhe pas orës 12 e 30 nuk funksionon”, tha Rizvan Seferi, Këshilli i Prindërve.

Avokati I Popullit, Naser Ziberi në intervistën në Alsat tha se tashmë kanë formuar dy lëndë për këtë rast. Ai shtoi se ka kërkuar sqarim nga Ministria dhe Inspektorati i Arsimit, Komuna e Gazi Babës, drejtoritë e shkollave përkatëse përse nuk mundësohet mësimi shqip për paralelet në fjalë. Pas kësaj, Ziberi kujton drejtuesin e Arsimit dhe Shkencës se duhet veproj me marrjen e kompetencave.

“Asnjë përgjigje nga asnjëri institucion deri më tani nuk kemi marr edhe pse jam i detyruar që të them se për shkollën e Idrizovës edhe vitin e kaluar ne kemi ngrit lëndë. Në të gjitha këto raste institucionet mundohen që të justifikojnë veprimet e veta të cilat janë të papranueshme për Avokatin e Popullit sepse kemi të bëjmë me shkelje të rëndë të së drejtës themelore të arsimit në gjuhën amtare dhe shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijëve të mbrojtura edhe me konventën ndërkombëtare. Ministria përkatëse si organ i administratës duhet t’ia merr autoritetin komunave në fjalë që të ushtroj politikat arsimore”, deklaroi Naser Ziberi, Avokat i Popullit.

Ndërsa nxënësit e tjerë kanë nisur me detyrat shkollore, 13 fëmijët shqiptarë të Idrizovës që tashmë duhet të jenë në klasë të gjashtë akoma janë pa mësim. Kjo për shkak se në shkollën fillore “Njegosh” të komunës Gazi Babë të Shkupit vazhdon të mos lejohet realizimi i mësimit shqip nga klasa e gjashtë e deri në atë të nëntë. Në pritje të një zgjidhje, fëmijët po improvizojnë një klasë mësimi në shtëpinë e familjes Seferi ku me njëri tjetrin po përsërisin mësimet e vitit të kaluar. Nga Komuna e Gazi Babës përsëritën se paralelja shqipe për klasë të gjashtë nuk mund të hapet për shkak se shkolla nuk ka hapësirë të mjaftueshme për paralele shtesë. Komuna, zgjidhjen e problemit e sheh në ndërtimin e një shkolle të re në Idrizovë dhe përkohësisht organizimin e transportit falas për në shkollën fillore të fshatit “Ognjancë” të komunës Petrovec. /alsat.mk