BallinaLajmet e rejaMaqedoni

Ibrahimi: BDI po vajtojnë si “gra Zajazi”, vështirë se do të mbijetojnë deri në zgjedhjet lokale (Video)

Kryetari i Alternativës, Zeqirja Ibrahimi është i bindur se koalicioni VLEN, të cilit i takon edhe partia e tij, do të fiton zgjedhjet e ardhshme lokale. Duke folur në emisionin “Intervista te Lideri” që transmetohet në portalin Lideri.mk, Ibrahimi vlerëson se kundërshtari i tyre kryesor BDI-ja madje do ta ketë të vështirë të mbijeton deri në zgjedhejt e ardhshme, për shkak të lëndëve gjyqësore që mund të hapen për zyrtarët e tyre.
Në këtë intervistë, kryetari i Alternativës flet edhe për raportet brenda koalicionit VLEN, ku përgjigjet drejtpërdrejtë edhe në pyetjen nëse brenda këtij koalicioni ka rivalitete e mosmarrëveshje.

Ibrahimi flet edeh për Ligjin për përfaqësim adekuat, duke paralajmëruar mundësinë që ligji të miratohet deri në fund të vitit.
Poashtu flet edhe për paralajmërimet për destabilizim të mundshëm, të arriturat e VLEN-it gjatë këtyre katër muajve, për mbledhjen e ardhshme të përbashët qeveritare me Kosovën, por edhe për shkëputjen nga hulumtimet shkencore, që ia ka imponuar politika.

Zotëri Ibrahimi, sa rrezikon përfaqësimin e shqiptarëve vakumi i krijuar me shfuqizimin e Balancuesit deri në miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë?
Mungesa e mekanizmit të Balancuesit nuk e rrezikon fare përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të bashkësive jo shumicë në administratën shtetërore, ose atë publike, për shkak se edhe partnerët tanë e dinë se kjo duhet të bëhet, pasi është një pikë e rëndësishme e Marrëveshjes së Ohrit dhe një detyrim kushtetues. Në fakt ka kohë që Balancuesi kishte humbur efektin e vetë dhe nuk është se e ka rritur shumë rritjen e përqindjes-në këtë rast të shqiptarëve në administratë.
Kur nuk ka ekzistuar Balancuesi, përfaqësimi i shqiptarëve nga viti 2007 deri në vitin 2015 është rritur për më shumë se 7 për qind, kurse nga viti 2015, kur është vendosur mekanzmi i Balancuesit, kjo përqindje është rritur me 1.5 për qind.
Është faj i atyre që kanë qenë dy dekada në pushtet që nuk e kanë rregulluar këtë çështje. Sidoqoftë ne jemi duke e përgatitur një draftligj, i cili shpresoj se deri në fund të vitit shpresoj se mund të votohet në Parlament, për shkak se është në fazë konsultimesh në nivel të VLEN-it, do të kemi një sërë konsultimesh me Këshillin e Evropës, me OSBE-në, pastaj do të duhet ta diskutojmë me partnerët tanë qeveritarë, por nuk ka asnjë hezitim se ky ligj është I detyrueshëm për ta ruajtur ekuilibrin mes bashkësive etnike në Maqedoninë e Veriut.
Si i komentoni akuzat se shqiptarët po diskriminohen gjatë këtyre katër muajve sa jeni ju në pushtet?
Gjatë dy dekadave të pushtetit të BDI-së nuk keni asnjë shembull të investimit kaq të madh në komunat shqiptare. Brenda këtij katërmujori u ndanë diku mbi 20 milionë euro për zhvillimin e infratstrukturës në komunat shqiptare, është marrë vendimi për ndarjen e 34 milionë eurove për ndërtimin e kampusit universitar te Universitetit “Nënë Tereza”, … Në qoftë se me diskriminimin e shqiptarëve nënkuptojnë pse BDI është në opozitë, kjo nuk është diksriminim i shqiptarëve, por është vendosje e gjërave në vendin e tyre, sepse ata që moti e kanë pasur vendin në opozitë, por përmes akrobacioneve që bënin vitet e fundit ia zgjatën jetën vetes së tyre, por tani përfundimisht janë aty ku kanë merituar të jenë.

A mund të kemi destabilizim, apo kaloi rreziku nga kjo gjë?

Mendoj se nuk kanë potencë politike për të shkaktuar destabilizim, kurse, meqë e kanë vendosur temën e destabilizimit në rrafsh të kalkulimit se a mund të kthehen në pushtet dhe duke pritur që mos ndoshta dikush u jep shenjë se mund të kalojë në qeveri, por nuk ka asnjë aksion që na bindë se ata mund të bëjnë diçka të tillë.
Në qoftë se me destabilizim e nënkuptojnë atë që e bën Gjykata Kushtetuese, ajo i bie që ata kanë ndërhyrë thellë në punën e gjykatave, në këtë rast të Gjykatës Kushtetuese.

Pamjet e tyre me pankarta në Kuvend janë patetike, sepse ata po të kishin dashur ta mbrojnë gjuhën shqipe duke e bë gjuhë zyrtare në Kushtetutë, siç është dashur të bëhet dhe tash të dalin të vajtojnë si gra Zajazi nuk u ka fare hije.
Unë gjykoj se ata shumë shpejtë do i takojnë historisë, për të qenë të saktë historisë së turpit dhe janë bë element i parëndësishëm i skenës politike shqiptare.
A mendoni se kështu do të jetë edhe në zgjedhjet lokale, sepse atëherë do të jetë matja e forcave në teren?
Në qoftë se arrijnë të mbijetojnë deri në zgjedhjet lokale, domethënë gjithmonë duhet të vendosim fjalinë e këtillë, për shkak se unë mendoj se ata do e keni vështirë të mbijetojnë deri në zgjedhje lokale. Ajo që mund të vijojë si lëndë nga gjyqësori, mund të shkaktojë një tërmet që mund të jetë katastrofal për ekzistencën e tyre.