Humbi jetën në kantierin e ndërtimit në Gjermani, del FOTO e 35 vjeçarit nga Dibra
Ky është 35 vjeçari, Astrit Xheka një prej viktimave që ndërroi jetë pas aksidentit tragjik të ndodhur në një kantier ndërtimi në Hamburg të Gjermanisë.
Artur Xheka, vëllai i të ndjerit ka publikuar foton e 35 vjeçarit me një shkrim prekës.
“Vlla, ku ike, kaq shumë ta paska dashur Zoti! Ma ke këputur zemrën”- shkruan vëllai i të ndjerit.
Mediat gjermane zbulojnë detaje të reja lidhur me aksidentin e rëndë në punë të ndodhur në një kantier ndërtimi në Hafencity të Hamburgut të hënën e 30 tetorit, ku humbën jetën 4 shqiptarë dhe një punëtor tjetër mbeti i plagosur.
Alfred Visha i plagosur dhe 2 viktimat Albert Zorba, Astrit Xheka
Albert Zorba 31 vjeç nga Elbasani, Astrit Xheka 35 vjeç nga Dibra, Rruzhdi Hoxha 33 vjeç nga Kukësi dhe një tjetër nga Mati, kanë humbur jetën nga rrëzimi i skelës, ndërsa Alfred Visha nga Mati, 33-vjeç, është në koma në spitalin gjerman.
Policia në fillim kishte deklaruar se viktimat ishin bullgarë, por më pas korrigjoi informacionin duke thënë se katër nga pesë viktimat e aksidentit ishin shqiptarë.
Sipas departamentit të zjarrfikësve, pas 35 orësh arritën të shpëtonin punëtorin e pestë të mbetur në rrënoja gjatë mbrëmjes, i cili u dërgua në spital me lëndime të rrezikshme për jetën pas aksidentit të hënën. Sipas raportimeve gjendja e tij ishte e qëndrueshme.
Zëdhënës i policisë për gazetën Bild të martën e 31 tetorit, tha se ka identifikuar 2 viktima dhe personin e plagosur rëndë ndërsa për dy viktimat e tjera vijon verifikimi.
Si ndodhi aksidenti?
Aksidenti ndodhi mëngjesin e së hënës rreth orës 9:10 me orën lokale në kantierin e ndërtimit në Überseequartier. Një skelë me disa punëtorë ndërtimi në të ra nga kati i tetë në një bosht ashensori të brendshëm. Shërbimet e urgjencës që mbërritën fillimisht gjetën tre të vdekur dhe një punëtor me lëndime të forta të rrezikshme për jetën.
Sipas zëdhënësit të zjarrfikësve, operacioni në kantier ishte gjithashtu i rrezikshëm për jetën e zjarrfikësve. Vendi i ndërtimit u evakuua plotësisht.
Hetimet
Ende është e paqartë se përse është shembur skela. Specialistët e Policisë Kriminale të Shtetit kanë nisur hetimet për shkaqet e aksidentit. Senatori i Brendshëm i Hamburgut, Andy Grote (SPD) shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave.
“Ngushëllimet e mia të sinqerta shkojnë për të gjithë të afërmit e viktimave”, shkroi ai në platformën X (ish Twitter). Në të njëjtën kohë, ai ka falenderuar edhe shërbimet e urgjencës.
Ky nuk është aksidenti i parë i rëndë që ndodh në punë në Hamburg. Më 2 shtator 4 punëtorë ranë nga skelat në një aksident të ngjashëm në një kantier ndërtimi në urat Elba, Hamburg, jo shumë larg Hafencity, të cilët u plagosën dhe disa prej tyre ishin në rrezik për jetën.