Hulumtim, qytetarët nuk u besojnë deputetëve
Qytetarët kanë besim të ulët në Kuvend dhe tek deputetët, tregon hulumtimi i Programit për përkrahje parlamentare për punën e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili në Kuvend u prezantua para deputetëve dhe përfaqësuesve të shërbimeve parlamentare. Në shkallën nga 1 – më e ulëta, në 10 – më e larta, qytetarët e vlerësuan besimin në Parlament me 3.4 që është një rënie prej 0.6 % krahasuar me vitin 2022.
Hulumtimi analizon perceptimet e qytetarëve për punën e Kuvendit në përgjithësi, duke filluar nga besimi në Parlament në krahasim me autoritetet e tjera, roli mbikëqyrës i Kuvendit, deputetët, funksionet e Kuvendit, ndërgjegjësimi për punën e legjislativit, si dhe procese të tjera reformuese kyçe për promovimin e punës së Kuvendit. Ky hulumtim përfshin një anketë në terren të kryer midis 22 shkurtit dhe 9 marsit 2023 dhe nëntë fokus grupe, të cilat u kryen në prill 2023.
Në shkallën nga 1 – më e keqja deri në 5 – më e mira, qytetarët kanë vlerësuar me 2.2% punën e Kuvendit në vitin 2022, që paraqet rënie të shkallës në krahasim me katër vitet e fundit.
Perceptimi i shumicës së qytetarëve është se Kuvendi nuk e përmbush plotësisht rolin e tij mbikëqyrës, pra 27% e të anketuarve besojnë se Qeveria ka kontroll të plotë mbi Parlamentin. Gjithashtu, pothuajse gjysma (46%) e të anketuarve besojnë se Kuvendi e rrit korrupsionin në vend që ta zvogëlojë atë. 70% e të anketuarve besojnë se shumica e deputetëve nuk janë të gatshëm të marrin vendime në emër të qytetarëve. Ata besojnë se deputetët nuk janë të gatshëm për postin që mbajnë. Ata gjithashtu besojnë se deputetët nuk janë të gatshëm për detyrimet që dalin nga procesi i integrimit evropian, por edhe se nuk kanë vullnet të sinqertë për integrime në BE .
Për sa i përket transparencës së Kuvendit ndaj publikut, shumica e të anketuarve mendojnë se Kuvendi është plotësisht ose pjesërisht i mbyllur për publikun dhe deputetët nuk i marrin parasysh komentet e publikut gjatë hartimit të ligjeve. Numri i qytetarëve që besojnë se jeta në vend po ecën në drejtim të gabuar dominon në krahasim me ata që besojnë të kundërtën.