Maqedoni

Heshtja ndaj dhunës çon në vrasjen e grave

Mungesa e veprimit me kohë dhe në mënyrë të koordinuar e të gjitha institucioneve është ajo që çon në vrasjen e grave.

Brenda katër vjetëve në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 19 raste të vrasjes së grave, nga të cilat 17 kanë të bëjnë me femicid. Gra dhe vajza humbin jetën nga duart e partnerëve dhe ish-partnerëve të tyre kryesisht në ambientet e shtëpisë, vendin që për to duhet të jetë më i sigurti.

Me ndryshimet e bëra së fundi në Kodin Penal gjatë këtij viti, femicidi përcaktohet si “një si një krim i veçantë”.

Por, kjo nuk ka ndikuar në uljen e numrit të rasteve të dhunës në familje që çon deri te vrasja e grave, pasi gjatë këtij viti janë shënuar pesë raste të tilla.

Gjykatësja Gabriella Gajdova, që ka realizuar një hulumtim mbi rastet e femicidit në Maqedoninë e Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se frika për të denoncuar dhunën dhe mungesa e besimit tek institucionet janë shkaktarë që dhuna ndaj gruas të arrijë deri te femicidï.

“Viktimat, edhe në rastet kur vendosin ta denocojnë dhunën në familje, procedimi i lëndës në institucione shkon shumë vështirë, përkatësisht problematike mbetet mbrojtja e mjaftueshme e viktimës”, thekson Gajdova.

Edlira Destani, psikologe, konsideron se shoqëria në Maqedoninë e Veriut ka një mentalitet që në momentet kur është dëshmitare e dhunës ndaj grave, këtë e diskuton pa zë dhe për fat të keq këtë nuk e adreson tek institucionet përkatëse.

“Kur bëhet fjalë për dhunën ndaj grave, si shoqëri jemi në pikën e thashethemeve, flasim fshehtas përreth, por jo me personat e duhur, pra jo me institucionet kompetente. Kjo heshtje na sjell dëme të tilla që çojnë në shuarjen e jetës së një gruaje. Nuk jemi akoma ajo shoqëri që i themi vetes se unë pashë diçka që nuk më pëlqeu, se isha dëshmitare e dhunimit të një fëmije apo gruaje, dhe për të qenë e qetë bëra gjënë e duhur – këtë e paraqita në polici. Kjo ndodh pasi jemi edukuar se nuk duhet t’i fusim hundët në punët e tjetërkujt, të mos ndërhyjmë në shtëpinë e tjetërkujt, megjithëse jemi dëshmitarë të dhunës duke mos kuptuar se heshtja na bën bashkëfajtorë”, vlerëson Destani.

Nga ana tjetër, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, në kuadër të konferencës “Femicidi në Maqedoninë e Veriut dhe në Ballkanin Perëndimor – Standardet ndërkombëtare dhe praktika gjyqësore”, që u organizua gjatë kësaj jave, bëri thirrje për më shumë bashkëpunim ndërsektorial. Po ashtu, ajo bëri thirrje për marrjen me kohë të masave pas dhunës së raportuar, si nga qendrat e punës sociale, ashtu edhe nga gjykatat, duke theksuar se kjo është mënyra e vetme për të reduktuar apo parandaluar femicidin, si lloji më i rëndë i dhunës ndaj grave.

“Detyra ime, si ministre, është të krijoj politika, që bazohen në kërkime dhe kontakte të drejtpërdrejta me ata, të cilëve u adresohet kjo politikë. Prandaj përpiqemi të jemi në komunikim të drejtpërdrejtë me gratë, sepse historitë e tyre, nevojat dhe sfidat specifike janë themeli mbi të cilin duam të krijojmë dhe përshtatim sistemin për parandalimin dhe mbrojtjen e grave nga dhuna”, deklaroi Trençevska.

Ajo tha se me gjithë fushatat e shumta të iniciuara dhe mbështetura nga dikasteri që drejton, dhuna është e pranishme në masë të theksuar në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut për faktin se ajo nuk denoncohet, përkatësisht gratë nuk e paraqesin atë në institucionet kompetente.

Në bazë të statistikave të Ministrisë së Punëve të Brendshme gjatë këtij viti janë regjistruar 517 raste të dhunës në familje, për të cilat janë raportuar 526 autorë, prej të cilëve 476 meshkuj dhe 50 femra.

Në vitin 2019, nga gjithsej pesë vrasje për shkak të dhunës në familje, tri raste kanë qenë femicid; në vitin 2020, nga katër vrasje për shkak të dhunës në familje, tri janë gra; në vitin 2021, nga pesë vrasje për shkak të dhunës në familje, tri prej tyre janë gra.

KËTU ku mund të gjeni të dhëna se ku mund të raportoni rastet e dhunës në familje për Maqedoninë e Veriut.